Tryeza për reformën në drejtësi pritet të mblidhet bazuar vetëm në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Mësohet se në takimin me dyer të mbyllura që po zhvillohet në kryesinë e Kuvendit mes ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin dhe ekspertëve të PS-së dhe PD-së, shumica ka tërhequr draftin që propozonte emërimet në gjyqësor me 84 vota.
Tërheqja e draftit nga maxhoranca pritet të rikthejë në tryezë ekspertët e PD-së të cilët kishin bojkotuar diskutimet duke kundërshtuatr draftin paralel. Të djathtët kërkuan zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias
Sikurse raportojnë edhe mediat, puna për draftin e Reformës në Drejtësi do të nis nga fillimi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke u bërë e ditur se ekspertët do të mblidhen gjatë orëve të pasdites. Një nga pikat ku është rënë dakord, mësohet të jetë propozimi i opozitës sipas së cilës Prokurorit të Përgjitshëm të mos i ndërpritet mandati me nisjen e Reformës.
Përfaqësuesit e PD-së u tërhoqën tre ditë më parë nga tryezat e diskutimit me argumentin se maxhoranca nuk po reflektonte për çështjen e përdorimit të 3/5 të votave në emërimin e drejtuesve të disa institucioneve të larta të drejtësisë.
Sipas tyre, shumica me 3/5 e kap sistemin dhe është një zgjidhje e atakuar dhe nga Komisioni i Venecias. Ekspertët e djathtë jane te mendimit se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis drejtuesve kryesorë të politikës në vend.
Gjithashtu, gjatë mesditës së sotme, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ftoi ekspertët e Partisë Demokratike që t’i rikthehen tryezës së diskutimit për draftin e reformës në drejtësi, duke kërkuar nga palët që të ruajnë konsensusin e arritur deri tani. “Ju kërkoj të rikthehen në tryezën e ekspertëve dhe të mos vetëpërjashtohen për një ose disa çështje të caktuara. I ftoj që ta ruajmë këtë frymë bashkëpunimi në frymën e opinionit të Komisionit të Venecias”, u shpreh sot Meta.
Axhenda politike ka vijuar me një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit, Bujar Nishani.