Nga Dritan Hila
Çudia më e madhe zgjat tre ditë, thonë tiranasit. Dhe kjo duket me rastin e listave.
Rama e hodhi që të heqë mendjen nga inceneratorët, thotë opozita. Goxha gjetje, po të mendosh që çështja e inceneratorëve ka katër vjet në shesh të mejdanit.
Në të vërtetë skandali lista, tregon dobësinë e shtetit dhe papërgjegjshmërinë e opozitës.
Së pari shtetit nuk i falet që pas kaq vitesh nuk ka përditësuar sistemet e sigurisë dhe protokollet e aksesit. Sot është e vështirë të zbulosh se kush i ka plaçkitur serverat, ose më saktë dihet por është e pamundur të ndiqet ligjërisht pasi i ka fshirë gjurmët e aksesit.
Po ashtu është fëmijërore të akuzosh qeverinë për publikim të listave. Ky do të ishte rasti i parë në planet ku një qeveri vetëdemaskohet dhe nxjerr një skandal për të mbuluar një tjetër. Deri këtu nuk arrin as mendja e çakërdisur e komplotistëve shqiptarë no-vax dhe anti-soros.
Përveç problemit qeveritar, ajo që bie në sy është papërgjegjshmëria e opozitës. Pasi që këtu ka dorë opozita, kjo as që vihet në diskutim. Jo vetëm se i interesonte politikisht kjo ngjarje por edhe për faktin se pa mbështetjen e rrjetit dhe suporteve të saj, do të ishte e pamundur përhapja në të tillë shkalle e listave dhe pastaj mbështetja mediatike. Një opozitë e përgjegjshme do të nxirrte një pjesë të listave por edhe këto të mbuluara në pjesët sensitive për individët. Por jo vetëm që nuk e bëri, por ca më shumë u zbavit duke parë shtetasit e saj lakuriq. Madje premton që të nxjerrë edhe listat e kredive.
Kaq mjafton që edhe më skeptiku të thotë se nëse qeveria është e paaftë, opozita është e papërgjegjshme, dhunti që nuk mungon ta shfaqë qoftë duke vrarë në Elbasan, kërcënuar me Xhelal Mziun, apo dhënë shfaqje në stadiume dhe salla kongresesh. Ndaj rezultatet zgjedhore më parë se t’i kërkojë në masakra elektorale që nuk i vërteton dot, ta kërkojë në qasjen e vet ndaj publikut dhe shtetit. Pasi njerëzit më parë preferojnë të paaftin se të papërgjegjshmin. Se nëse i pari nuk të rregullon dot punë, i dyti të bën gjëmën.
Te lumte Z. Hila!