Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Alliasi”, për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të banesave dhe automjeteve. Në një njoftim për mediat autoritetet sqarojnë se në pranga janë vënë dy persona: Klodi Qerimi, 23 vjeç, i dënuar më parë, dhe Gersjan Berisha, 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Arrestimi i dy të rinjve është bërë pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin një banesë në rrugën “Selaudin Bekteshi”, po ata akuzohen se kanë vjedhur dhe disa banesa të tjera kohët e fundit.
Sipas uniformave blu, dy të arrestuarit studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës, duke ndërprerë ndriçimin elektrik të rrugës dhe të kamerave në hyrje të banesave.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga sendet, të cilat kanë rezultuar të vjedhura në banesat e lartëpërmendura.
Në kuadër të këtij operacionit u bë kapja dhe arrestimi i Vehap Kapajt 33 vjeç, i cili u kap në flagrancë pasi kishte vjedhur një automjet “BMW”.
Ndërkohë në flagrancë janë arrestuar dhe dy persona të tjerë për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Moskallëzim krimi”. Në pranga kanë rënë: Artan Kernaja, 47 vjeç, banues në Tiranë dhe Fatmir Lizi, 48 vjeç, banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vrasje dhe vjedhje.
Sipas policisë së Tiranë Kernaja kishte bërë kallëzim të rremë, se i kishin vjedhur automjetin, i cili u gjet i braktisur në anë të rrugës në Peqin të Elbasanit.
Po nga hetimet ka rezultuar se këta dy persona kishin shkuar për të vjedhur në një banesë në Peqin dhe kur kanë parë policinë, ndërkohë që ishin dhe në shkelje të orës policore, kanë braktisur mjetin me qëllim fshehjen e sendeve të kundërligjshme që kishin në automjet, të cilat do t’i përdornin për të kryer vjedhjen.
Dy të sipërpërmendurit janë me precedentë penal, pasi Artan Kernaja, në vitin 1997, në bashkëpunim me një person tjetër, ka vrarë me armë zjarri një person në zonën e Laçit dhe për këtë ka kryer 18 vite burgim. Ndërsa 48-vjeçari me iniciale Fatmir Lizi ka kryer 16 vite burgim në Itali, për vrasje.
Nga hetimet rezulton se këta dy persona, së bashku me një tjetër person që aktualisht ndodhet në Angli, ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e vjedhjes në ltali e Zvicër, në formën e një grupi kriminal.
/a.r