Kopshti Sunny Hill në zemër të Tiranës i rindërtuar nga e para pas rrënimit nga tërmeti ka përmbyllur treshen e investimeve përmes donacionit të Shtetit të Katarit, kontribut për Programin e Rindërtimit të nisur nga qeveria në nëntor të vitit 2019. Në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri të delegacionit të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa bin Jassem Al-Kuwari, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është ndalur edhe në Kopshtin 42 në kryeqytet, i cili ka trefishuar kapacitetet duke u zgjeruar edhe me një çerdhe për vogëlushët e zonës së Bllokut, si dhe ofron sot kushte dhe hapësira moderne, për të cilat një kontribut të veçantë ka edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa me fondacionin e saj “Sunny Hill Foundation”.
Kryebashkiaku Veliaj ka shprehur mirënjohjen e veçantë ndaj Shtetit të Katarit për kontributin e dhënë në rindërtimin e këtij Kopshti, ashtu sikundër edhe të shkollës “16 Shtatori” në Pezë të Madhe, si dhe shkollës tjetër moderne “Lasgush Poradeci” në Kombinat.
“Përpara një viti dukej një ëndërr që ne mund të kishim kopshtin më të bukur në Bllok, në qendër të Tiranës, që mund të kishim një shkollë model në Pezë dhe që mund të kishim një shkollë fantastike si “Lasgush Poradeci”, në qendër të Kombinatit! Por aty ku njerëzit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ndihmojnë njëri-tjetrin, i kanë sytë tek finishi dhe jo tek cic-micet atëherë mund të bëjmë mrekulli dhe ky është shembulli që patëm me kolegët nga Fondacioni i Katarit, njerëz që bashkëpunojnë pa vënë re gjëra të vogla, por të fokusuar tek gjëja e madhe,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se nga ky investim i ri dhe modern përfitojnë jo vetëm familjet e fëmijëve që e frekuentojnë kopshtin por e gjithë zona përreth. “Sot ky komunitet shkon nga 100 fëmijë që ishte dje në 250, pra, dy herë e gjysmë më shumë, por dhe në ambiente shumë më të mira e shumë më të bollshme. Pra, ka fituar jo vetëm komuniteti i atyre që i sjellin fëmijët këtu, por edhe e gjithë vlera e pallateve rreth e rrotull, ashtu sikur thamë që pallatet kur janë pranë diçkaje të bukur që ka vlerë, sidomos një kopsht i mirë, çerdhe e mirë, shkollë e mirë, i rritet edhe atyre vlera,” deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë një falënderim të veçantë e kishte për Fondin dhe popullin e Katarit që iu gjend Shqipërisë. “Jam shumë mirënjohës për popullin e Katarit! Jemi përkujdesur maksimalisht që gjërat të mbarojnë në afat dhe ky vit shkollor të na kapte në Pezë, në Kombinat dhe në Bllok me të gjitha këto struktura të mbaruara. Sot është një hap shumë i madh që ka radhë për t’u futur në çerdhe dhe kopshte publike. Sot shkollat publike po bëhen më të mira se ato private, si ajo që pamë në Kombinat. Do të thotë që shteti, qeveria, bashkia e bashkë me donatorë vendosin cilësinë të parën ne mund të bëjmë gjëra shumë më të mira dhe ja ku është fakti sot,” shtoi ai.