Kreshnik Spahiu është i bindur se PD do të ndahet në dy parti. Vizitën e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, në selinë e PD e sheh si garanci për Lulzim Bashën që nuk do të largohet me dhunë.
Nga emisioni “Zona Zero” në Top News, Spahiu tha se amerikanët i kanë garantuar Lulzim Bashës se do jetë ai që do të mbajë çelsat e partisë dhe logon.
Ndërsa nuk e përjashton edhe dhunën, Kreshnik Spahiu beson se do jetë gjykata ajo që do të vulosë fatin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, si dhe të ardhmen e PD-së.
“Dy Kuvendet e PD, zyrtarizojnë ndarjen në dy parti. Ardhja e të dërguarit amerikan ishte për t’i dhënë garanci Lulzim Bashës se nuk do të largohet me dhunë. Konflikti është i pashmangshëm. Konflikti Basha-Berisha do të eskalojë në dhunë. Basha ka humbur elektoratin. Atij i është garantuar mbajtja e çelsave, zyrës dhe logos nga SHBA, por nuk ka mbështetje në elektorat.
Amerikanët e mbështesin pasi kuptojnë se ka humbur terren. Berisha do të marrë elektoratin dhe me elektoratin do tentojë të marrë partinë. Do kemi proces gjyqësor dhe gjykata do thotë se zyra dhe logoja e partisë i takon Bashës. Kjo do bëjë që Berisha të krijojë parti të re”, tha Kreshnik Spahiu.
Sipas Spahiut, shumë shpejt do të kemi një bashkëpunim të ri mes Sali Berishës dhe Ilir Metës
“Berisha me Ilir Metën do të krijojnë një konfiguracion të ri politik. Ky bashkim është tradicional”, tha ai./m.j