Me përfundimin e riteve fetare të pelegrinëve serb ne Kishën Ortodokse të Gjakovës ka përfunduar edhe protesta e një grupi të qytetarëve që kishin dalë për ta kundërshtuar këtë vizitë.
Pas përfundimit të riteve të tyre fetare autobusi që barte pelegrinët u largu nga kisha me përcjelljen e policisë.
Në lidhje me vizitën e pelegrinëve serb si dhe protestën e qytetarëve komandanti i policisë në Gjakovë, Krist Gjoka tha se në përgjithësi shkoi qetë. Ai shtoi se ka pasur vetëm një arrestim për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
“Gjithcka ka kaluar pa asnjë incident. Policia ka marrë masa për lëvizje të lirë. Kemi pasur rreth 30 protestues që kanë protestuar kundër këtyre, kemi pasur vetëm një arrestim për arsye të prishjes dhe rendit të qetësisë publike”, tha ai.
Pas largimit të pelegrinëve serb nga Kisha Ortodokse, të qetë janë larguar edhe protestuesit, ndërsa është liruar për lëvizje edhe rruga që çon në kishë,e cila ishte e ndaluar për qarkullim.