Një plagosje me thikë ka ndodhur paraditen e sotme në Fushë Arrëz, ku ka mbetur i plagosur një 52-vjeçar, pas një konflikti të çastit.
Burime bëjnë me dije për noa.al se ka mbetur i plagosur shtetasi Dedë Gjini, ndërkohë që policia ka arrestuar shtetasin Fran Mëhilli. Paraprakisht dyshohet për një sherr të çastit mes tyre.
“Plagosi me thikë një 52-vjeçar, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë kapet autori i dyshuar i ngjarjes.
Më datë 07.12.2021, rreth orës 11:30, në Fushë Arrëz, shtetasi F. M., 43 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës thikë, shtetasin D. G., 52 vjeç, banues në Fushë Arrëz.
I dëmtuari ndodhet në spitalin e Pukës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i autorit të dyshuar të ngjarjes.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, njofton policia.
/a.r