Kryeministri britanik, David Cameron njoftoi sot se anëtarët e qeverisë së tij janë të lirë të bëjnë fushatë pro ose kundër daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, para një referendumi që pritet të zhvillohet këtë vit.
“Qeveria do të ketë një qëndrim të prerë, por ministrat do të jenë të lirë në planin individual të mbrojnë një qëndrim ndryshe duke vijuar të jenë pjesë e qeverisë”, deklaroi David Cameron para Parlamentit.
Media britanike kishte shprehur gjatë javëve të fundit dëshirën e disa ministrave euroskeptikë të qeverisë Cameron, të cilët kishin të drejtën e një fushate të lirshme për një “Brexit”, thënë ndryshe dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Referuar “The Guardian” njoftimi i bërë sot pasdite nga ana e Cameronit mundësonte në mënyrë të dukshme shmangien e dorëheqjes së disa ministrave euroskeptikë, siç është rasti i Iain Duncan Smith, sekretar i Shtetit për Punësimin dhe Pensionet.
”David Cameron premtoi organizimin e një referendumi mbi qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE deri në fund të vitit 2017, por konsultimet paraprake mund të parashikohen nga muaji qershor”, sipas medias britanike.