Si shefi, ashtu edhe ekipi i tij! Donald Trump shënon gafën e radhës, këtë herë me “ndihmën” e stafit të tij, që ka përgatitur spotin zyrtar të fushatës drejt Shtëpisë së Bardhë.
Kandidati republikan ka premtuar se do të ndalojë emigracionin ilegal, duke ndërtuar një mur gjigant në kufirin me Meksikën.
Për ilustrim, në video jepen njerëz që përpiqen të hyjnë në SHBA.
Por, siti politifact.com ka zbuluar se në të vërtetë janë klandestinë marokenë që përpiqen të hyjnë në Melilla.
Melilla është një nga dy territoret e Mbretërisë së Spanjës në Afrikën veriore, e cila ndan kufi tokësor me Marokun.
Pamjet origjinale të marokenëve që “mësyjnë” drejt Melilës janë dhënë nga televizioni i gazetës italiane “La Repubblica” më 2014.