Protestë paqësore, por kreative, me kërkesën e vetme – dorëheqjen e Qeverisë Mustafa, kanë paralajmëruar përfaqësues të partive opozitare, shkruan Koha Ditore. Ata kanë thënë se një kryeministër i cili konfirmohet shkelës i Kushtetutës nuk ka legjitimitet të vazhdojë të qeverisë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kundërshtimit të tyre gjatë vitit të kaluar kundër Marrëveshjes për parimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kurse Driton Çaushi i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se edhe pas dy javësh kur u publikua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo qeveri e cila vazhdimisht është thirrur se do të japë llogari nëse gjendet ndonjë shkelje, ende nuk ka reflektuar. I pyetur për metodat që do t’i përdorin në protestë, Çaushi ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.