Një lajm i trishtë tronditi opinionin publik mëngjesin e sotëm. Artistja e njohur shqiptare Hueyda El Saied u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare duke mos e fituar betejën me një sëmundje e rëndë.
Huyeda jetonte prej kohësh në Luksemburg, së bashku me të birin Gabrielin dhe me partnerin e saj, Thierryn.
Hueyda ishte një artiste e kompletuar në shumë fusha si këngëtare, piktore, balerinë, moderatore dhe spikere lajmesh. Ajo ka prezantuar “Një këngë për ty”, “Në restorant” dhe “7 nga shënimet e mia dhe Kioska”. Po ashtu artistja ka marrë pjesë në festivalet e muzikës shqiptare si “Top Fest” dhe “Kënga Magjike”.
E ftuar në “Xing me Ermalin” në vitin 2017, Hueyda ka rrëfyer për herë të parë historinë e trishtë të jetës së saj. Artistja ka treguar se e ëma, në ato vite u martua me një djalë të huaj, babain e Hueydës që ishte student në Tiranë, por regjimi nuk e lejoi raportin mes tyre të jetonte gjatë. Kur Hueyda ishte vetëm 3 vjeçe, babain e saj e detyruan të largohej nga vendi dhe ajo e ka parë atë, vetëm 16 vjet më pas.
Jo vetëm kaq, por me keqardhje ajo ka treguar se zv.ministri i brendshëm i asaj kohe i vardisej së ëmës dhe duket se kjo ka qenë arsyeja për dëbimin e të atit.
/a.r