Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Z. Olsian Çela, nga Holada ku ndodhet për përurimin e e Zyrës së Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë, ka dhënë alarmin se krimi organizuar transnacional përbën një kërcënim serioz
“Bashkëpunimi ynë i forcuar tashmë nëpërmjet Eurojust-it shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve që tejkalojnë kufijtë tanë. Rruga që kemi ndërmarë do të na mundësojë të konsolidojmë përvojat dhe kapacitetet, si dhe të përgjigjemi në një mënyrë më të organizuar institucionale ndaj kërcënimit serioz që krimi i organizuar transnacional po paraqet për shoqëritë tona”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela
Ndërsa, Presidenti i Eurojust z. Ladislav Hamran deklaroi, – “Bashkimi Evropian dhe Shqipëria janë fqinj dhe partnerë. Në Eurojust ne e dimë prej eksperiencës se të kesh një prokuror ndërlidhës pranë kësaj agjencie është një mjet i fuqishëm që shtyn përpara bashkëpunimin në fushën e gjyqësorit në kufijtë tanë. I jam mirënjohës autoriteteve shqiptare për bashkëpunimin e treguar për të hapur zyrën e prokurorit ndërlidhës dhe mirëpres bashkëpunimin për të luftuar krimin e organizuar transnacional së bashku”.
Ceremonia u ndoq edhe nga Kreu i Prokurorisë Speciale, SPAK z. Arben Kraja. Hapja e Zyrës përkoi me takimin e parë vlerësues për marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar.
Caktimi i prokurorit ndërlidhës, znj. Fatjona Memcaj është rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj marrëveshjeje.
Bashkëpunimi gjyqësor ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Eurojust është rritur me mbi 40% në pesë vitet e fundit. Midis 2016 dhe 2020 në Eurojust u regjistruan gjithsej 84 raste në të cilat përfshihej Shqipëria.
Këtë vit, deri më tani janë regjistruar 20 raste, me një hetim afatgjatë që kulmoi me arrestimin e 38 kontrabandistëve shqiptarë të drogës në bashkëpunim me Italinë, në korrik, si një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit të deritanishëm.
Aktualisht, përveç Shqipërisë, nëntë vende të tjera kanë prokurorë ndërlidhës në Eurojust: Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Prokurori Ndërlidhës për Shqipërinë znj. Memcaj ka një përvojë të gjatë në bashkëpunimin gjyqësor ndërkufitar dhe para fillimit të detyrës pranë Eurojust ka qenë prokurore pranë prokurorisë së Apelit Tiranë, ku ka qenë përgjegjëse për çështjet që kërkonin Ndihmë Juridike të Ndërsjellë, veçanërisht kërkesat për ekstradim.
Vizita e delegacionit shqiptar dhe zhvendosja e prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust janë mbështetur nga projekti IPA 2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor’/m.j