Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar në “Radari Informativ” në ABC me Jonida Sheu zhvillimet e fundit mes mazhorancës dhe opozitës, propozimet dhe komisionet hetimore të ngritura deri më tani si dhe rezultatin që ato pritet të kenë.
I pyetur rreth komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Vangjeli tha se ashtu si edhe në raste të ngjashme, palët do të diskutojnë për tre vite e gjysmë e më pas do të merret një vendim i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
“Sa i përket Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit, jemi në të njëjtin film vetëm se ndryshojnë personazhet, ndryshon edhe Shqipëria. Tronditem kur mendoj, po sikur të dyja palët të kenë të drejtë.”
Duke bërë krahasimin me situatën e vitit 2009 analisti thotë se tashmë kanë ndryshuar jo vetëm rolet pozitë-opozitë, por ka ndryshuar edhe përgjigja e mazhorancës.
“Në qoftë se në 2009 ishte po i njëjta debat, përgjigjet standarte vinin nga mazhoranca e kohës. Kanë ndryshuar role por edhe lejohet ngritja e një komisioni. Mazhoranca atëherë u përgjigj duke i djegur kutitë e votimit, sot shohim disa deputetë të PD, edhe kryetari do të ishin në grevë urie, në çadër, siç bënë socialistët. Pavarësisht se me dhimbje, shoqëria shqiptare ndryshon në sens pozitiv kurse klasa politike ka mbetur pas.”
Por cili do të jetë roli që mazhoranca do të mbajë në këtë komision?
“Do ta lërë në rrjedhje të lirë, sepse ndërkohë që hetohet, ajo qeveris. Karta e fituesit është se humbësi gjithnjë qan,” thotë Vangjeli. “Kjo është prova që na dëshmon një të vërtetë të hidhur, pala që humb thotë gjithnjë që më kanë vjedhur.”
Analisti shprehet pesimist lidhur me rezultatin që pritet të sjellë ngritja e komisioneve të kërkuara nga opozita.
“…anëtarët e komisionit do të dalin në TV, kjo në Shqipëri është shumë. Edhe perceptimi shitet si produkt. Nuk kam asnjë provë që të më japë bindjen që do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe.”
Ndërsa, sa i përket shtyrjes së kohës për organet e vettingut, Lorenc Vangjeli u shpreh se nëse rastet kalojnë siç e thotë Kushtetuta, te KLP dhe KLGJ, do të krijohej një problem mbingarkese.
“Në dy vite është bërë gati gjysma e trupës të gjykatësve dhe prokurorëve. Boll kohë kemi humbur, zvarritjet e mëtejshme janë në dëm të qytetarit…Nuk ka pse të ketë kompromis. Funksionimi i drejtësisë do duhej të ishte në interes të të gjithëve.”
Po ashtu, për analistin, nuk mund të kërkosh që SPAK të vetojë politikanët pasi këtë sipas tij e bën qytetari një herë në katër vite me të drejtën e votës.
“Nuk mundet që SPAK, një mekanizëm i sistemit të drejtësisë të jetë mbi legjislativin. Është një nga marrëzitë ku gjuha dhe logjika hesht. SPAK-u është instrument për të hetuar, hetim penal, jo administrativ. Nuk ka çfarë propozon PS, vendi ka nevojë për reformë kushtuese, por jo të pjesshme. Për t’u kthyer në parimet e ‘98, ose të rishkruhet një Kushtetutë që të pasqyrojë këtë realitet që ka sot shoqëria shqiptare.”
g.kosovari