Pak kohë më parë askush nuk do ta besonte se Lulzim Basha, i zgjedhuri i djeshëm i Doktor Berishës, tashmë do të katandisej si mos më keq. Dhe të mendosh se po përgatitet të bëjë një parti të re në rast se do ta nxjerrin nga zyra me shqelma.
Edhe po nuk dha dorëheqjen, qartazi duket se demokratët nuk do ta lejojnë më Lulzim Bashën të qëndrojë në zyrën e tij, apo të mbajë vulën.
Kjo duket nga “Foltorja”, e ish-kryeministrit Berisha, ku nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës, nga Dibra në Fier, qartazi të gjithë janë kundër Lulzim Bashës.
Së pari, Lulzim Basha do tentojë të qëndrojë. Por, kjo duket një opsion i pamundur.
Dhe në rast se ai do të detyrohet të japë dorëheqjen, ka sërish shumë pak rrugë për të lëvizur.
Nëse do të kërkojë të rrijë brenda PD-së, do ta ketë thuajse të pamundur. Pasi të tijët që ka zgjedhur në grup parlamentar, një e nga një duket se do t’i ikin. Për më tepër janë të urryer dhe të padëshiruar nga baza e PD-së.
Janë shumë emra si Agron Gjekmarkaj që kërcënon, i cili në fakt nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ervin Salianji, Grida Duma, deri diku dhe Jorida Tabaku e të tjerë, të cilët nga njerëz të lidhur me strukturat e partisë, po kthehen në fytyra të urryera, për shkak të qasjes që kanë jo vetëm ndaj “Foltores”, por edhe ndaj sjelljes që ka Lulzim Basha. Ndaj humbjeve të tij të njëpasnjëshme dhe dështimeve që ka pasur Partia Demokratike në këto tetë vite.
Zgjidhja e Lulzim Bashës duket të jetë një parti e ri. Një lëvizje e re. Ndoshta jashtë PD-së, për të qëndruar si faktor politik.
Dy janë format.
Njëra është shpalosur, që është Republika e re, e Lulzim Bashës në 2017, ku ai e përdori si sigël duke hequr flamurin, ngjyrat dhe logon e Partisë Demokratike.
Dhe e dyta është Partia Liberale, për të cilën është folur që në vitin 2015 apo 2016, kur Basha kërkoi që t’i jepte PD-së një formë të një partie liberale, duke e nxjerrë nga shtyllat e saj konservatore, siç janë familja, prona, dhe shteti, kombi. Duke e afruar pak edhe me teoritë liberale të LGBT-ve. Koncepte këto të artikuluara edhe një grup i atëhershëm universitar i Henri Çilit, i cili tashmë është futur në PD dhe përfaqësohet nga shumë individë, si Grida Duma, Ervin Salianji, e të tjerë.
Pra, rrugëzgjidhja e Lulzim Bashës, duket të jetë Partia Liberale ose Republika e re, në rast se do të dalë jashtë PD-së.
Një parti e cila mund të mbledhë nga grupi parlamentar disa deputetë, të jetë një fraksion brenda parlamentit, ose një parti e deklaruar në parlament, me shpresën se do jetë një faktor brenda një Opozite më të madhe dhe do të shkojë drejt një koalicioni me Opozitën. Apo në 2025 mund të garojë e vetme dhe të marrë rolin e FDP-së, që është Partia Liberale në Gjermani, e cila sot është dhe qeveri-formuesja kryesore në krah të social-demokratëve dhe të gjelbërve.
Pra, Lulzim Basha në qëllimin e tij të kahershëm nuk ka pasur kurrë rrëzimin e socialistëve dhe e ardhjen e së djathtës apo një partie me frymë konservatore.
Por, qëllimi i tij ka qënë një pushtet i ndarë me socialistë, me demokratë. Mjafton të ishte tek “torta” e pushtetit, për të ndarë diçka për interesat e tij.
Kështu do ta ketë më të thjeshtë. Do të jetë ai personi që mund të bëjë nesër rolin e “king maker”, atë që bëri LSI-ja. Kjo e fundit duket në shkërmoqje pa kthim.
Prandaj mesa duket rrugët e Bashës janë të ngushta dhe me drejtim.
Pra, një është të qëndrojë brenda PD-së, por pa qënë më faktor. Pa peshë, sepse qartazi do të jenë deputetët e tij që do ta kuzhtëzojnë dhe e dyta është të dalë në një parti më vete që mund të jetë Republika e re, apo Partia Liberale, që nesër të kushtëzojë këdo nga palët, për të ardhur në pushtet. Në rast se mund të ngrejë një parti. Sepse kur nuk mundi dot të ngrinte Partinë Demokratike, imagjinoni se çfarë mund të bëjë Lulzim Basha i vetëm me një grup deputetësh që më shumë “dashurojnë” të rregullojnë flokët, t’i bëjnë ato me bojë, të heqin vetullat e të dalin ekraneve, sesa të shkojnë tek njerëzit, të flasin për hallet dhe të merren me problemet e tyre./ CNA/
/b.h