Bashkia Devoll ka shpërndarë një video ku pasqyrohet gjendja e mjeruar e të ashtëquajturës “shtëpi muze” e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në vendlindjen e tij në Menkulas.
Ajo që dëshmohet nga pamjet, është një indiferencë totale ndaj një prej figurave më të shquara kombëtare i cili ka dhënë kontribut të vyer në disa fusha.
Kryebashkiaku Eduard Duro apelon që qeveria të hedhë sytë nga ky projekt i lënë në mëshirë të fatit për të nderuar birin e krahinës dhe letrarin e madh të të gjithë shqiptarëve.
Teksa Partia Socialiste ka hyrë në mandatin e saj të tretë qeverisës duke shpalosur ambicien e saj, ajo që bie në sy është injorimi që i bën prej vitesh figurës së ish deputetit dhe patriarkut Dritëro Agolli.
Edhe pse është premtuar shpesh nga zyrtarët socialistë fushatë pas fushate, “shtëpia muze” ngelet thjesht një ëndërr e dashamirësve në mbarë botën apo bashkëfshatarëve që presin që dikush të kthejë sytë nga ta për të bërë këtë investim.
Me gjasa, kostoja e këtij projekti që trumbetohet prej vitesh është e barabartë me kosoton e një prej makinave luksoze të deputetëve të sotëm që mbase as nuk e dinë se kush është Dritëro Agolli.