Salie Kovaçi është 33-vjeçarja nga Tirana e cila ra në prangat e policisë, pasi ish-Gjykata e Krimeve i ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për trafik të miturish.
Ajo akuzohet nga Prokuroria se së bashku me dy djem kanë shfrytëzuar për prostitucion një vajzë të mitur.
Sipas organit të akuzës, e reja akuzohet për një ngjarje të vitit 2013, kur vajza e mitur, M.Lekica ishte njohur me Enea Sinanin dhe i kishte kërkuar ndihmë për t’u strehuar pasi nuk jetonte më me familjen.
Ai ka marrë në telefon një shokun e tij të quajtur Koli, i cili ka mundësuar edhe strehimin e vajzës. Gjatë kësaj kohe, 15-vjeçarja është shfrytëzuar për prostitucion nga i pandehuri Elton Drapi dhe të gjitha paratë e fituara i merrte vetë.
E mitura në atë kohë, ka arritur të evidentojë shfrytëzuesin e saj dhe ka bërë denoncimin ndaj tyre. Ajo ka rënë dakord me oficerin e policisë që të përgjojë disa biseda me shfrytëzuesit e saj.
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se vajza 15-vjeçare është detyruar të punojë si prostitutë dhe gjithashtu nga ana e të pandehurit Enea Sinani i është kërkuar që të shkojnë së bashku jashtë shtetit me qëllim shfrytëzimin e saj si prostitutë.
Pjesë e kësaj dosje është edhe e arrestuara Salie Kovaçi. Sipas hetuesve, edhe ajo vetë ushtronte prostitucion dhe përfitimet ia jepte Elton Drapit. Madje në disa raste siguronte edhe klientë.
Kovaçi akuzohej nga prokuroria se ka pasur djeni për veprimet që kryente Elton Drapi, si dhe ka qenë e pranishme në të gjitha situatat në raport me vajzën 15-vjeçare.
/a.r