Rreth të njëjtës orë kur Donald Trump u hoq nga lista e 400 njerëzve më të pasur të Amerikës për herë të parë në 24 vjet, në renditjen e revistës “Forbes”, faqet e gazetave filluan të mbusheshin me batuta nga libri i sapo publikuar nga ish-zëdhënësja e tij.
Stephanie Grisham, e cila në tetë muajt e fundit në Shtëpinë e Bardhë, ishte bërë e famshme, pasi nuk kishte drejtuar as një konferencë për shtyp, ka vendosur të flasë lirshëm me, “I’ll Take Your Questions Now: What I Saw at the Trump White House” (Unë do t’iu përgjigjem tani: Çfarë pashë në Shtëpinë e Bardhë Trump).
Ish-zëdhënësja kishte qasje të jashtëzakonshme në familjen Trump – ajo punoi ngushtë me ta për gjashtë vjet dhe ishte gjithashtu shefe e stafit të Melanias – dhe historitë e saj, përveç plotësimit të një nevoje publike të mediave dhe qytetarëve, ndihmojnë edhe për të hyrë në psikikën e atij që për 4 vjet ishte njeriu më i fuqishëm në tokë.
Grisham tregon për një person të keq, narcist, të rrezikshëm, i cili do të nxiste dhunë të re nëse do të kandidonte përsëri në vitin 2024.
Ajo më pas pretendon se ka qenë pjesë e “diçkaje jashtëzakonisht të keqe” dhe, sipas një opinioni të publikuar nga gazeta “Washington Post”, zbulon se ka denoncuar abuzime nga një anëtar i stafit me të cilin ajo kishte pasur një lidhje, por që në Shtëpinë e Bardhë as që e kuptuan.
Grisham, gjithashtu shkruan se ish-presidenti ka pyetur partnerin e saj nëse ajo ishte e mirë në shtrat, se ai i kishte kërkuar të mbronte madhësinë e “trupit të tij” pas zbulimeve të Stephanie Clifford, e cila kishte urdhëruar “një aleate politike në Arizona për të mos veshur më rroba pa mëngë, sepse kishte krahë të shëmtuar” dhe se Jared dhe Ivanka Trump, njiheshin si praktikantë në korridoret e Shtëpisë së Bardhë dhe kështu me radhë.
Siç tregon “Politico”, megjithatë, Grisham ka arritur mbi të gjitha të hedhë dritë mbi një nga sekretet më të çuditshme dhe në të njëjtën kohë më të përfolura të presidencës Trump: një vizitë e paparalajmëruar në spitalin “Walter Reed” të shtunën pasdite në nëntor 2019, ku doli pas nja dy orësh pa kravatë dhe me këmishën e zbërthyer.
Nga ai takim, të cilin Shtëpia e Bardhë nuk kishte dashur ta shpjegonte, lindën disa teori konspirative, nga sulmi në zemër, në goditje në tru, deri tek sulmi i ankthit dhe u desh libri i Grisham të zbulonte të vërtetën.
Presidenti duhej t’i nënshtrohej një kolonoskopie rutinë dhe e bëri të mos dalë në publik, sepse nuk donte të bëhej “shënjestër e shakave” në shfaqjet televizive të mbrëmjes.
Trump gjithashtu refuzoi anestezinë – e cila për një ekzaminim të tillë dhe të dhimbshëm është normë – sepse ai nuk donte t’i transferonte përkohësisht kompetencat zëvendësit të tij Mike Pence dhe urrente idenë për të treguar një shenjë dobësie.
Nëse ai do t’i nënshtrohej operacionit nën anestezi, Trump në fakt do të duhej t’i jepte përkohësisht komandën Mike Pence, siç parashikohej nga amendamenti i 25-të, i paraqitur në Kongres në vitin 1965 pas vrasjes së John Kennedy dhe ratifikuar në vitin 1967, siç ka ndodhur tashmë tre herë, përsëri për disa orë dhe gjithmonë për një kolonoskopi: në vitin 1985, kur Ronald Reagan u operua atëherë për kancerin e zorrëve dhe përkohësisht ia la komandën George HW Bush; në 2002 dhe 2007 kur George W. Bush ia besoi vendin zëvendësit të tij Dick Cheney.
Është e habitshme që ai detaj nuk është zbuluar kurrë, vërejnë sot ish-anëtarët e stafit të tij, por në thelb është një sjellje emblematike e epokës Trump.
Të transformosh një ngjarje normale në diçka të diskutueshme përmes një menaxhimi të paktën të errët që, siç shpjegon “Politico”, detyron Shtëpinë e Bardhë të veprojë në fshehtësi dhe motivon shtypin, spekulimet e të cilit përfundojnë më pas duke inkurajuar elementët e papërgjegjshmërisë së mediave./si