Partia Demokratike ka të njëjtin qëndrim si Sali Berisha sa i përket krizës energjetike të paralajmëruar nga qeveria.
Ashtu sikurse Berisha në Gjirokastër, Basha tha sot se kriza nuk ekziston, por është shkaktuar nga Edi Rama.
Kreu i PD përsëriti fjalë për fjalë se shkaku kryesor është shitja e energjisë me çmim të ulët dhe blerja me çmim më të lartë.
Sikurse Berisha akuzoi pak ditë më parë Ministrinë e linjës, edhe Basha drejtoi gishtin ndaj institucioneve.
“Kjo nuk është krizë energjetike. Kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan. E blejnë me çmim 3 apo 4-fish me taksat tona. OSHEE dhe KESH nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Janë institucione të zhytura në klientelizëm Mjaftojnë tabelat ku çmimi i blerjes së energjisë është shumë më i lartë se sa çmimi i bursës. Nuk ka thatësirë, por ka bollëk” – tha ai.
Sipas Bashës, për të njëjtën sasi energjie janë paguar 10 milionë euro më tepër.
“Këto para shkojnë në xhepat e zyrtarëve të një shteti që sipas raporteve të BE dhe SHBA cilësohet më i korruptuari në Europë” – tha Basha gjatë një konference me gazetarët.
/javanews/a.r