Një shtetas nga Elbasani do të gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi i ka bërë shantazh me qëllim përfitimi një oficereje të policisë, shkruan Gazeta Shqiptare. Mario Bici, 22 vjeç, ka filmuar policen teksa lahej në dush dhe më pas i ka bërë presion për t’i marrë 500 euro.
Pasi e filmoi me celular, Bici i shkroi një letër anonime, ku e kërcënënte me publikim të videos në internet.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 24 gushtit të këtij viti, kur oficerja ishte në shtëpinë e saj, në katin e parë, në Elbasan. Gjatë dushit ka dëgjuar zhurmë te dritarja dhe ka vënë re se një djalë i ri po e filmonte. Pasi është pikasur, ai është larguar, ndërkohë që oficerja nuk mund ta ndiqte.
Dy ditë më pas, mëngjesin e 26 gushtit, në derën e shtëpisë së saj ka gjetur një letër anonime, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të plehrave, në orën 22:00, në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në internet”.
Me të marrë këtë letër, shtetasja R.L. ka bërë kallëzim pranë kolegëve të saj në Elbasan.
Pas nisjes së hetimit, R.L. u autorizua për të kryer veprime simuluese “dorëzim i kontrolluar i një zarfi” në vendin e paracaktuar nga letërshkruesi, mbikqyrur nga policia.
Oficerët e policisë gjyqësore printuan nga interneti pesë kartëmonedha 100 euro me numër serial dhe i futën në zarf, të cilin e mori kallëzuesja dhe para orës 22:00 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi tek koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi dhe hodhi aty zarfin. Sapo ajo u largua, një person u afrua te koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua. Ai u ndoq nga forcat e policisë që vëzhgonin veprimet në terren dhe u kap në largim e sipër me vrap.
Ai u identifikua si shtetasi Marjo Bici, i datëlindjes 1993, banues në Elbasan. Me vete, krahas zarfit atij iu gjet dhe një celular ku ishin fotot e oficeres.
Marjo Bici pranoi autorësinë e krimit dhe ndër të tjera deklaroi se në datë 24.08.2015, në ecje e sipër kishte parë një dritare të hapur të një shtëpie private dhe një femër të zhveshur. Ishte afruar dhe me telefon e kishte filmuar atë. Ajo e kishte parë dhe i kishte thënë “çfarë bënte”. Ai ishte larguar. Kur kishte shkuar në shtëpi të tij, kishte vendosur të shkruante një letër ku t’i kërkonte asaj 500 euro, në këmbim të mosbërjes publike të pamjeve të saj zhveshur.
GSH