Ata i kanë ndarë keq rrugët. Pasi djali “vrau” të atin politik, nuk mungojnë akuzat, kërcënimet, ipad me biseda të regjistruara ndërvite në zyrë, se çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit, apo edhe ndjesa që e mbështeti dhe heshti për 8 vite.
I ka përmendur (jo të gjitha) Sali Berisha, që nuk po lë foltore qytet më qytet, nga njëra studio televizive në tjetrën.
Në anën tjetër, Lulzim Basha.
Ai po e shoqëron debatin me keqardhjen për çka po dëgjon nga goja e njeriut, që e projektoi dhe e katapultoi në krye të Partisë Demokratike 3 herë rresht.
Ka folur shumë pak. Po përpiqet të sfumojë debatin. Nuk jep zgjidhje dhe aksioni parlamentar që ai po ndjek nuk parasheh optimizëm për opozitën.
Gjithçka është fokusuar në dy llogore. Të gjithë komentojnë Bashën dhe Berishën. Problemi i vetë opozitarizmit mbetet aty.
“Në PD nuk po flitet, as po mendohet, por vetëm po bërtitet dhe lançohet. PD ka nevojë të nisë një debat shumë më të thellë, shumë më transparent, shumë më përfshirës dhe shumë më konkret, rreth asaj nëse do vijojmë të kemi një opozitë formale e të emëruar apo një opozitë të përgjegjshme dhe reformatore, sesi ajo duhet të ndryshojë në mënyrë që qytetarët të rikthejnë besimin tek alternativa e saj e munguar, të përcaktojë se cilat janë sfidat e Shqipërisë dhe cili është roli dhe misioni i një opozite në një vend kandidat për në BE”, komenton politologu Afrim Krasniqi në një opinion për Gazetasi.al.
Analisti Ben Andoni e sheh problemin që nga mënyra se si “kjo parti nuk mundi në Kuvendin e saj të vendoste pikat mbi ‘i’ dhe të mos linte kryetarin aktual të PD-së të impononte ndryshimet e tij statusore për të dytën herë me radhë pas humbjeve në zgjedhjet e përgjithshme”.
“Nga ana tjetër, lëvizjet e ndryshme dhe artikulimet shumë ambigue të shumë zyrtarëve të PD-në lenë të kuptojnë se në thelb u intereson kjo përplasje për të hapur mundësitë e tyre drejt kreut duke shfrytëzuar infrastrukturën humane dhe logjistike të PD-së”, thotë Andoni.
Ai e sheh të frikshme fenomenin e dukshëm se, “ende shumëçka është në dorë të ish-kryetarit, Berisha, që tashmë nga lëvizja e tij, e titulluar ‘Foltorja’ po e shtyn përçarjen e këtij formacioni deri në absurd”
“Pak orë më parë në Shkodër, Berisha arriti që t’i ndryshonte edhe krahun ideologjik partisë duke kaluar nga e Djathta e Qendrës, në Konservatore”, vëren Ben Andoni.
Afrim Krasniqi në anën tjetër mëton të evidentojë se PD problemin e ka shumë më të thellë i mbartur ndër vite që lidhet mbi të gjitha me mungesën e demokracisë së brendshme e cila nga një parti me shtrirje horizontale është kthyer në një forcë politike vertikale ku strukturat, anëtarësia dhe vetë oponenca nuk kanë më hapësirë.
“…Niveli i debatit midis grupeve të ndryshme në PD është thuajse në nivelin e debatit të rrugës, me etiketime, fyerje, akuza dhe mungesë respekti ndaj Tjetrit, çfarë tregon se partitë tona në tërësi jo vetëm nuk janë shndërruar në shkolla demokracie, por janë në nivel formimi nën mesataren e shoqërisë.
Njësoj si në periudhën e debatit të lëvizjes për katarsis në PS më 2001 edhe tani në PD del qartë se ata që përfaqësojnë mbi 600 mijë vota kanë formim minimal politik, janë aty për shkak të raporteve personale e klienteliste dhe jo për shkak të meritës dhe se politika në Shqipëri në tërësi është marrë peng nga individë pa profesion dhe pa vizion”, nënvizon Krasniqi
Edhe për Ben Andonin më shqetësuese është ndarja e bazës në tifozë të Berishës dhe në mbrojtës të Bashës.
“Mënyra sesi duan t’i martojnë dy qëndrimet, në jo pak raste, tregon nivel të frikshëm etiko-politik. Një grup paradoksesh që i shtohet apatia patologjike e z.Basha, i cili po mundohet ta sfumojë lëvizjen Berisha thjesht me gafat dhe dobësinë që po tregon udhës vetë ish-kryetari”.
Por cila është zgjidhja?
“Zgjidhja është një dhe vetëm një: Mbledhja e Kuvendit dhe hapja e një gare platformash e individëve të ndryshëm, duke shmangur shkaktarët e vërtetë të humbjes së Demokratëve, Bashën dhe Berishën. Sa më shpejt ta kuptojnë aq më i lehtë do të jetë rikuperimi, por gjasat janë shumë të pakta, në një parti kaq kaotike sa Partia Demokratike në këto momente”, thotë Andoni.
Afrim Krasniqi zgjidhjet i sheh në disa plane ndërsa qëllimi mbetet i njëjtë; PD nuk duhet të mbetet më peng i 1, 2 apo 3 individëve.
“Janë disa, ligjore dhe politike, por është e qartë se asnjë skenar nuk do të ketë vlerë e impakt pozitiv për opozitën nëse ajo nuk mendon, sillet dhe vendos me parimet e periudhës kur u krijua 30 vjet më parë. Ajo nuk duhet të mbetet peng i 1,2 apo 3 individëve dhe as i praktikave klienteliste, por të ndjekë modelet referuese në EPP, ku partia politike shihet si institucion, si ent demokratik, si mision, si përgjegjësi, si llogaridhënie dhe si kontratë besimi që testohet e ndryshohet në program dhe ekip çdo 4 vjet”./ Nevila Perndoj