Reforma e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar pranë qendrave shëndetësore të përcaktuara, ka pësuar ndryshime thelbësore. Nga Kruja, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se risi e kësaj reforme është përfshirja dhe ndihma financiare për fëmijët 0-2 vjeç me aftësi ndryshe.
“Një ndër risitë e kësaj reforme është mbështetja për fëmijët 0-2 vjeç dhe që nuk ka qenë më parë. Vlerësimi i fëmijëve 0-2 vjeç dhe në tërësi i fëmijëve 0-18 vjeç është përmirësuar dhe ka sjellë rezultate, që fëmijët të cilët nuk ishin mbështetur me pagesa të aftësisë ndryshe, tashmë kanë filluar të mbështeten”,tha Manastirliu.
Pas Tiranës dhe Durrësit, reforma e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar do të shtrihet dhe në qarqe të tjera
“Qëllimi i parë i kësaj reforme është që ne të përputhim nevojat me përfitimet. Pra ato çfarë kanë nevojë qytetarët të cilët janë me aftësi ndryshe me ata të cilët mbështesim, pra të gjithë paketën e mbështetjes shëndetësore dhe sociale.
Brenda muajit Shtator, fillimi i muajit Tetor do të shtrihet edhe në qarkun e Elbasanit për të shtrirë më tej në 4 qarqet e tjera, përfshirë Lezhën, Shkodrën, Vlorën dhe Korçën dhe sigurisht më pas në 2022 për t’u shtrirë në të gjitha qarqet e vendit”, është shprehur Manastirliu.
Deri më tani kanë marrë mbështetje mbi 160 mijë persona, 75 mijë prej të cilëve janë persona me aftësi ndryshe, 72 mijë janë persona të cilët janë invalidizuar në punë dhe rreth 18 mijë janë ndihmës apo kujdestarë të personave me problematika të tilla.
/a.r