Gjatë seancës së sotme parlamentare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth vendimit për hyrjen në fuqi të reciprocitetit të targave për të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës. Në fjalën e tij Kurti theksoi se vendimi u mor pas përfundimit të skadimit të afatit të marrëveshjes së lëvizjes së lirë, ndaj dhe u mendua se ishte e nevojshme një ndërhyrje e tillë.
“Nga data 15 shtator Republika e Kosovës ka ndërprerë dhënien e tabelave KS. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë për marrëveshjen e lëvizjes së lirë, MPB sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.Ai ka thënë se pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë drejtuesit e automjeteve me tabela jo të vlefshme ato po konfiskohen.“Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme . Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur 2011 për lëvizje të lirë, që nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se vendimi i ditës së sotme dhe shtimi i forcave policore në kufi, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serb apo të provokojnë ndonjë destabilizim.
“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serb apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti.
Ai kërkoi nga qytetarët serb të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime e brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.
g.kosovari