Ndotja e bregdetit në Durrës më 7 nëntor ku u derdhën tonelata nafte dyshohet se është bërë qëllimisht nga dy anije, një greke dhe një italiane. Në këtë konkluzion ka arritur Prokuroria e qytetit bregdetar e cila ka dërguar letër porosi në vendet fqinje për të identifikuar pronarët e mjeteve të dyshuara si dhe për marrjen në pyetje të 6 marinarëve që drejtonin anijet.
Një muaj nga ndotja me naftë dhe lubrifikante e bregdetit të Durrësit prokuroria nis letër porosi drejt Greqisë dhe Italisë për të marrë në pyetje 6 marinarë dhe për të identifikuar pronarët e dy anijeve të dyshuara për ndotjen.
Ky fakt konfirmohet për ReportTv nga burime pranë akuzës së Durrësit. Në dosjen hetimore është administruar si provë itinerari i dy anijeve, njëra e nisur nga portet greke dhe njëra italiane që më 7 nëntor të këtij viti kanë prekur ujërat territoriale të Shqipërisë.
Por ç’ndodh me hetimet?
Deri në këtë fazë prokuroria ka identifikuar dy anijet që kanë shkaktuar ndotjen si dhe 6 marinarët që dyshohet se kanë lidhje me dëmin e shkaktuar më 7 nëntor në ujërat tona.
Kjo ndotje – thanë hetuesit – është bërë me qëllim pasi anijet të cilat kalojnë në ujërat tona bëjnë derdhje të mbetjeve për të shmangur taksat e larta që duhet të paguajnë në portet greke e italiane. Porte të cilat klasifikohen me flamurin “Blu” për nga pastërtia e ujit dhe kanë taksë shumë të lartë për derdhjen e mbetjeve.
Pas ndotjes në 7 nëntor një tjetër incident është shkaktuar pak ditë më parë me një anije transporti, ku si për pasojë e një defekti në serbator ka pasur rrjedhje të naftës. Por etimet kanë zbardhur se gjithçka ka qenë aksidentale, në ndryshim nga ndotja e 7 nëntorit.
Me mbërritjen e letër porosive prokuroria pritet të mbyllë hetimet për ndotjen e konsideruar krim mjedisor për të cilën provat bëjnë përgjegjës 6 marinarë. /Report Tv/