Vendimi personal i Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar demokrat i PD-së ka shkaktuar reagime dhe debate të shumta brenda PD-së.
Ndonëse Basha e cilësoi si vendimin më të vështirë të marrë ndonjëherë dhe vlerësoi kontributin e Berishës në krye të demokratëve, ai u shpreh se kjo ishte një barrë e rëndë, por vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike.
Largimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar nuk është i pari, pasi nga aty janë përjashtuar plotë 26 deputetë.
Ish-Kryeministri Berisha gjatë karrierës së tij politike nga viti 1992 deri në vitin 2006 ka përjashtuar nga radhët e Grupit Parlamentar 22 deputetë të Partisë Demokratike.
I pari që ka larguar nga radhët e demokratëve sipas Institutit të Studimeve Politike ka qenë Gramoz Pashko, i cili u “dëbua” në vitin 1992 nga selia blu për kritika ndaj lidershipit të saj.
Po ashtu, në vitin ‘92 u përjashtua dhe Arben Imami për shkak se tentoi të krijojë fraksione brenda PD-së.
Ajo që bie në sy në të gjitha largimet e mëparshme është se vendimi për të përjashtuar ata deputetë është marrë nga struktura drejtuese të partisë.
Vendimi për përjashtimin e Berishës është vendimi i dytë personal nga Kryetari i PD-së, por me një ndryshim, pasi në vitin 2006, Sali Berisha ngriu me vendim individual Spartak Ngjelën për shkak të kritikave ndaj lidershipit të PD-së, ndërkohë që largimet e tjera janë bërë me vendim të strukturave të selisë blu.
Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në total ka përjashtuar nga radhët e PD-së 4 deputetë, mes të cilëve Sali Berishën.
Lulzim Basha largoi nga PD-ja, Mhill Fufin, Rudina Hajdarin dhe Myslim Murrizin se thyen vendimin e PD-së për të djegur mandatet.
Ndërkohë, Basha largoi me vendim individual Sali Berishën pse u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Nëse shohim me kujdes listën e 22 “përjashtimeve” nga Berisha, konstatojmë që përveç Spartak Ngjelës, i ngrirë me vendim të kryetarit, 14 janë përjashtuar me vendim të Këshillit Kombëtar, 5 me vendim të Konferencës dhe 2 me vendim të Kryesisë.