Lajmet e përhapura në mediat spanjolle se ndeshja mes Kosovës dhe Spanjës do të ishte një luftë politike, ka acaruar në mënyrë të pakuptimtë atmosferën para kësaj sfide të rëndësishme që luhet nesër në Prishtinë.
Në Kosovë, me të drejtë insistojnë se nuk e kanë parë kurrë këtë ndeshje në aspektin politik dhe duket se kundër mediave të vendit të tij për këto artikuj është edhe Luis Enrike.
Ai u është përgjigjur në konferencë për shtyp të gjithë zërave për ambient të ngarkuar e klimë të pafavorshme për të luajtur sfidën, duke bërë të qartë se në Kosovë luhej futboll e nuk kishte asnjë arsye pse politika të përfshihej. Për më tepër, ai i thuri elozhe “Dardanëve” për atë që dhuronin në fushën e lojës.
“Kemi një atmosferë perfektë për të luajtur dhe qëndrojmë larg politikës. E vetmja gjë që më shqetëson është të mposht rivalin.
Duhet të provojmë të fitojmë çdo ndeshje, por çdo herë është më e vështirë. Mënyra që kemi për t’i bërë presion Suedisë është të fitojmë ndeshjet tona, por kjo me Kosovën do të jetë ndër më të komplikuarat, ndër më të vështirat dhe e githë bota do ta shohë.
Kosova do të ketë mbështetjen e publikut, luan mirë dhe ka pretendimet e saj. I bëjnë gjërat mirë dhe meritojnë më shumë pikë se sa kanë.
Ka komponentë në fazën play-off që na bëjnë të kërkojmë sa më shumë golin, por e para është të fitojmë ndeshjen. Varemi plotësisht nga vetja për klasifikimin, edhe më shumë se sa fakti që mund të mos jemi të parët në grup”, tha Luis Enrike para gazetarëve.
/m.j