Një burrë ka dhunuar tre vajza në Prishtinë. Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në kryqytetin e Kosovës, në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’.
Pamjet e publikuara nga një faqe në Facebook janë marrë nga një kamera sigurie pranë zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe tregojnë se si burri në fjalë u sulet vajzave dhe i dhunon me një shkop bejsbolli.
Ato ndërhyjnë të mbrojnë njëra-tjetrën, por pa rezultat sepse burri me shkop vijon t’i godasë. Kjo ngjarje është denoncuar në polici, sipas faqes që ka publikuar pamjet shqetësuese.
“Rruga Ahmet Krasniqi, nje person sulmon tre vajza ne mes te dites ne Prishtine, rasti eshte njoftuar dhe ne Polici sipas vajzave! Thjesht Tmerr,”- shkruhet krah videos.
Ende nuk dihet shkaku që burri sulmoi tri vajzat me një mjet, ku në video shihet teksa i godet ato.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për Gazetën Express se i dyshuari është duke u kërkuar nga Policia.
Ajo tha se rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:00.
“Rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:00, në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë. Lidhur me këtë rast i cili është cilësuar, Lëndim trupor, hetuesit policor të stacionit qendra kanë identifikuar personin e dyshuar. I njëjti është në kërkim nga ana e policies”, tha Ahmeti
/m.j