Albana Fico, drejtuese e Institutit të Shëndetit Publik, në lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, foli mbi vaksinimin me detyrim të studentëve, duke theksuar se edhe ata nuk e duan mësimin “online”.
“Që të kthehesh në auditor, do të duhet të bësh një hap. Studentët nuk e duan mësimin “online” gjatë gjithë vitit. Duke mos pasur rrugë alternative për t’i shpëtuar mortjes dhe për t’u kthyer në auditor, por mbi të gjitha për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, dhe duke qenë se Delta prek mosha të reja, arma e vetme është vaksinimi. Kjo armë është provuar, edhe në vendin tonë, pasi sot kemi më pak të shtruar në spital. Mund të ketë grupime të vogla refraktare, por unë besoj fort te studentët që do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje jo me detyrim, por me bindje. Këto nuk janë masa ndëshkimore, por sensibilizuese. Nuk kemi shans tjetër”, deklaroi Fico.
Kur u pyet nëse imuniteti natyror mund të ishte shansi tjetër, Fico u përgjigj: “Kemi disa sëmundje si lija e dhenve që nuk ikin ndonjëherë, vetëm vaksinimi e vuri nën kontroll. Duhet të kuptojmë që është fat i madh që kemi vaksina, se edhe mund të mos kishim. Për të gjithë ata që kanë pikëpyetje, le t’i referohen burimeve serioze”.
Sipas Ficos, “situata e sivjetshme nuk ka lidhje me atë të vjetshmen”, pikërisht falë vaksinës: “Ne e kemi izoluar Deltën në vend. Sivjet ka hyrë në lojë vaksinimi, si masë shumë e fuqishme për të frenuar përhapjen e Covid-19. Masat shtrënguese të sotme kanë ardhur në kohën e duhur. Bota dhe Shqipëria kanë përjetuar pafundësisht lodhje nga mbyllja fillestare dhe mënyra e re e jetesës. Tani, me vaksinimin ka një lloj “ngrohjeje” për të shkuar përpara. Por, e keqja është se duhen përfshirë të gjithë në këtë simfoni. Ajo që kemi vënë re, dhe jo vetëm në Shqipëri, është se pati një rishpërthim të virusit që lidhet me Deltën dhe periudhën e verës, ku u relaksuan masat”.
“Të pavaksinuarit janë ata që mund ta kalojnë më rëndë variantin e Deltës, kështu që kur flasim për këtë variant, është variant i SARS-COV 2 shumë i rrezikshëm dhe do të ishte betejë e tmerrshme nëse nuk do të ishte vaksinimi në mes. Të vaksinuarit të infektuar me Delta e kalon më lehtë”, shtoi Fico.
/b.h