Refugjatët do të jenë në zemër të edicionit të ardhshëm të Festivalit të Filmit në Berlin, me qindra bileta falas për azilkërkuesit dhe filma të rinj që vënë në pah fluksin historik të tyre drejt Evropës. Drejtori i “Berlinales”, Dieter Kosslick, dy muaj para edicionit të 66-të, në shkurt të vitit të ardhshëm, i ka thënë AFP-së se mëtojnë që në këtë mënyrë të japë një shembull të tolerancës dhe integrimit në Gjermani, e cila është goditur nga arritjet e rreth një milion refugjatëve vetëm këtë vit. Ai ka thënë se festivali, i cili krenohet se i takon listës “A”, e që sjellë yje të Hollyëoodit dhe godet fort kinemanë ndërkombëtare, që nga fillimi është përpjekur të ketë ndikim në shoqëri.
“Refugjatët gjithmonë kanë luajtur rol në ‘Berlinale’, që nga viti 1951, kur festivali u realizua për herë parë pas Luftës së Ftohtë në Berlinin Perëndimor, gjashtë vjet pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kosslick. “Në atë kohë shumë gjermanë ishin refugjatë dhe festivali qe themeluar për të rritur mirëkuptimin në shoqërinë gjermane në mesin e shoqërive të tjera”, ka shtuar ai.
“Berlinale”, njëri prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropë, mëton që azilkërkuesve t’u japë një pushim nga pritjet e gjata dhe të mos i lërë të mërziten.
“Jemi duke punuar me organizata humanitare të refugjatëve në programin mbështetës që të japim bileta falas”, ka thënë ai në një intervistë. “Momentalisht plani është që të japim rreth 1 mijë bileta, por ky numër mund të rritet”. Ai po ashtu ka thënë se ftesat për ceremoninë gala të hapjes më 11 shkurt do të përfshijnë edhe kërkesat për donacione për Qendrën e trajtimit të të mbijetuarve të torturuarve, ku mijëra prej tyre kanë kërkuar strehë në Gjermani. Kosslick (67) është vlerësuar për ngritjen e profilit ndërkombëtar të festivalit që kur mori drejtimin e tij në vitin 2001.
Festivali do të hapet me filmin “Hail, Caesar!” nën regji të Joel dhe Ethan Coen, ndërsa aktorja Meryl Streep është kryetare e jurisë dhe do të ndajë çmimin kryesor, “Ariun e Artë”. Rreth 400 filma nga e mbarë sa janë përzgjedhur për edicionin e radhës trajtojnë aspekte të ndryshme të krizave të refugjatëve që nga arsyet e shkaktimit të tyre e deri tek ndikimi në Perëndimin e pasur.