Ndonëse nuk ka ende një të dyshuar, policia e Lushnjës po vazhdon punën me mbledhjen e provave për zbardhjen e atentatit mafioz të ndodhur dy ditë më parë në qendër të qytetit, ku mbeti i vrarë 33-vjeçari Bledar Muça dhe u plagosën pesë të tjerë.
Të tjerë persona, krahas familjarëve dhe dëshmitarëve, mësohet se u shoqëruan gjatë orëve të fundit. Atyre u është marrë dëshmia pasi dyshohet se mund të kenë dijeni mbi autorët.
Ndërkohë ekspertët e kriminalistikës po kryejnë ekspertizën e mjetit tip golf që u gjet i djegur në fshatin Thanasaj pranë lumit Shkumbin si dhe armëve kallashnikov që u gjetën brenda tij dhe që mendohet se u përdorën nga autorët.
Hetuesit shpresojnë të gjejnë shenja gishtash me qëllim identifikimin sa më shpejt të agresoreve.
Ndërkohë dy pistat kryesore të hetimit mbeten: ajo e hakmarrjes dhe prishjes së pazareve të drogës. Kjo pasi 33-vjeçari Bledar Muça, që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi ishte dhëndri i Roland Shytit, , ish-anëtar i organizates, ‘Hakmarrja për Drejtësi”, i njohur me nofkën “mustaqekuqi”.
Nga ana tjetër, sipas burimeve, dyshohet se dy ekzekutorët mund të jenë fshehur në zonën e Fushë Krujës dhe asaj të Durrësit, por nuk përjashtohet dhe Elbasani. Qytete këto ku u zhvillua dhe aksioni i forcave Renea.
Atentati mafioz që përgjaku qendrën e qytetit të Lushnjës ndodhi mbrëmjen e të hënës rreth orës 22:00 në një lokal. Nga të shtënat, humbi jetën në vend pronari i biznesit Bledar Muça 33 vjeç, ndërsa u plagos kunati i tij, Judin Velo që ndodhej në tavolinë me të.
Por plumbat lanë të plagosur edhe katër persona të tjerë që ndodheshin në lokal: Sara Liçi, Eksara Cauli, Majlinda Gjyla, dhe Ervis Tafa. Ata morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa ndodhen në spital për ndihmë mjekësore.
Viktima Bledar Muça njihej si person jo problematik qe prej disa vitesh administronte lokalin në qendër të Lushnjës dhe disa biznese te tjera.
/a.r