Pothuajse një muaj para zgjedhjeve federale të 26 shtatorit, fushata elektorale në Gjermani është në lëvizje të plotë, në një kohë kur interesi i politikës dhe medias ndërkombëtare është përqendruar në zhvillimet e shpejta të Afganistanit. Kjo ishte çështja e madhe që dominoi intervistën dhënë për DW nga kandidatja e së Majtës për Kancelare, Janine Wissler.
“Gjermania injoroi shenjat paralajmëruese”
Wissler ka fajësuar qeverinë gjermane për injorimin e paralajmërimeve të hershme për një përkeqësim të situatës në Afganistan në mënyrë që të shmangë një debat të brendshëm mbi ardhjet e reja të refugjatëve dhe emigrantëve. Kandidatja e së Majtës beson se pas dominimit të talebanëve, nuk është koha që Gjermania të tërheqë ndihmën e zhvillimit për Afganistanin.
“Unë jam absolutisht kundër shkurtimit të fondeve për bashkëpunimin e zhvillimit. Këto janë për njerëzit, të cilët vuajnë si nga duart e talebanëve ashtu edhe nga kriza e tmerrshme humanitare në vend. Sigurisht, ne duhet të ndjekim zhvillimet”, u shpreh Wissler.
Afganistani ishte një përfitues kryesor i ndihmës gjermane për zhvillim këtë vit, i cili aktualisht vlerësohet në 250 milionë euro – megjithatë këto para ende nuk janë dhwnw. Vlen të përmendet se shuma e përgjithshme e zhvillimit dhe ndihmës humanitare që Gjermania kishte planifikuar për Afganistanin këtë vit në buxhetin e saj do të arrinte në rreth 430 milion euro.
Qëndrimi i qeverisë gjermane është “i turpshëm”
Janine Wissler përdor gjithashtu një gjuhë të ashpër se si qeveria gjermane ka trajtuar personelin gjerman në Afganistan, duke folur për mungesën e një plani për largimin e tij të sigurt.
“Kjo është një mënyrë e mjerueshme për t’u marrë me stafin. Ata po heqin 65,000 litra birrë nga vendi. Në fakt, në fund të qershorit, duke pasur parasysh tërheqjen e trupave gjermane nga Afganistani, ushtria gjermane kishte ndaluar konsumimin e alkoolit dhe në fluturime speciale ata sillnin sasi të mëdha birre dhe pije të tjera alkoolike jashtë vendit. Ushtria gjermane gjithashtu ishte e shqetësuar për sulmet e mundshme talebane dhe për këtë arsye nuk donte që ushtarët në Afganistan të konsumonin alkool”, tha ajo.
Kandidatja e majtë akuzon anëtarët e qeverisë Merkel për një sërë lëvizjesh të gabuara dhe të rrezikshme në Afganistan për arsye parazgjedhore.
“Ajo që po bën qeveria gjermane është e turpshme. Është e qartë se qeveria në tërësi ndan përgjegjësinë dhe me këtë nënkuptoj edhe kancelaren dhe zëvendëskancelarin. Qeveria ka rrezikuar jetën e njerëzve me veprimet e saj. Kam frikë se ata thjesht u përpoqën ta linin çështjen për zgjedhjet e mëvonshme . Ata u përpoqën të shmangnin një debat mbi emigracionin në Gjermani para zgjedhjeve dhe për këtë arsye rrezikuan jetën e tyre,” përfundoi ajo./m.j