Nga Artur Ajazi
Pothuajse çdo aksion briland të Policisë Shqiptare, opozita e vjetër e krahason me dështimet e saj. Një banor i një lagje periferike në Durrës dikur (para vitit 2013) më tregonte se “2-3 herë në javë, vjen tek ne, natën, një goxha zyrtar i Ministrisë Brendshme, me goxha post në Policinë e Shtetit, darkon dhe rri pothuajse gjithë natën me elementë me precedentë të theksuar penal, që thoshte se janë militantë partie”.
Nuk e besoja, por një ditë të bukur i njejti person kishte shënuar në letër targën e makinës së zyrtarit të lartë të Ministrisë Brendshme, emrin dhe mbiemrin e tij. Këtë fakt e dinin edhe efektivë të Drejtorisë Policisë së atij Qarkut, të cilët asokohe thonin se “gjithmonë kur vjen ai, shkojmë bëjmë patrullim gjithë natën”. Kjo ishte një gjë e zakonshme asokohe, kur në pushtet ishte partia e Enkeled Alibeajt, njeriut që “denoncon” dhe nuk përgëzon kurrë aksionet e Policisë së Shtetit sot, njeriut që gjithmonë shpik dhe shpif, kur Policia e Shtetit (jo si dikur) arreston efektivat e lidhur me grupime dhe elementë kriminalë, duke mos toleruar askënd, siç vepronte partia e tij dikur.
Kjo opozitë është e pandreqshme, e pabesueshme, e pakonceptueshme, e pashpresë, e pavotuar, e paditur, mashtruese, dhe mbi gjithçka e paturpshme. Ka 8 vjet e ca, që nga zyrat dhe “sportelet” e Partisë Demokratike, Enkeledi, Ervini, Grida, apo dhe ndonjë tjetër sahanlëpirës i Lulit, dalin dhe përgojojnë pa fakte, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, policë dhe shefa policie, gazetarë, dhe deri shoferë linjash urbane, si “njerëz të lidhur me krimin, korrupsionin, dhe kryeministrin”. Nuk po lenë grup “armiqësor” dhe grup kriminal pa i dalë në mbrojtje, me deklarata të paturpshme “policia arreston të pafajshmit, policia godet të dobëtit, kjo qeverisje e lidhur me trafikun”, kur çdo ditë arrestohen dhe goditen rrjete të drogës, prostitucionit, kur çdo ditë zbulohen dhe arrestohen vrasës dhe ndihmësit e tyre, zyrtarë dhe kushdo qoftë.
Kjo opozitë, është siç ka qenë. Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk ka lëvizur, asgjë nuk është ripërtërirë në programin, lëvizjet dhe misionin e saj. Kjo opozitë, e cila pas disa ditësh pritet të futet në Parlament dhe të zërë vendet e saj, ka mbetur ajo e para 2 viteve, me mentalitetin e “gjuajtësit me gurë” mbi gjithçka rritet, lulëzon, jeton. Janë po ata, që braktisën në grup votuesit, Parlamentin, bashkitë, dhe institucionet e tjera, për hatër të kryetarit pasionant.
Janë po ata, që 4 muaj e ca, para se të hyjnë në Parlament, kishin kurajon të shkurajonin çdo shqiptar për të ardhmen, janë po ata që bënin thirrje për “të mos u vaksinuar nga Edi Rama, por të presin sa të vijë në pushtet PD”. Kjo opozitë është estrada dhe gallata më e shëmtuar e politikës shqiptare. Herë-herë, ajo duket si një kopjuese e keqe e “ish-opozitës” afgane, e cila kishte dhe ka, si program dhe platformë politike rrugën e dhunës për të ardhur në pushtet, (siç edhe veproi së fundi) përmes kaosit. Një fjalë e urtë thotë “më mirë të dish, se të kesh”. Por tek Partia Demokratike nuk ndodh as, e para, dhe as e dyta. Ata thjesht,janë marioneta të bindura të një kryetari të përjetshëm pasanik, të një udhëheqësi “shekullor”,që ka vendosur të ndezë sërish “zjarrin” në Parlement, duke mos kursyer asnjë prej ushtarëve besnikë që i telekomandon kur i afrohet rreziku.