Shkrimi i plotë
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë vitit 2020, në disa intervista televizive, ka befasuar me deklaratat e saj, duke e shpallur Covid-19 si një virus i krijuar në kushte laboratorike, si konspiracion të madh politik etj. Kryetarja e partisë së tretë më të madhe mbështeti kështu valën e teorive konspirative nga më të çuditshmet mbi Covid-19, duke shtuar pasigurinë dhe mosbesimin e publikut për respektimin e masave anti-covid. Nëse media të ndryshme, të cilat nuk janë referencë besueshmërie për publikun, i kanë përhapur lajmet e rreme mbi covid-19, edhe për arsye klikimesh, në mënyrë të pavetëdijshme për pasojat etj., artikulimi i teorive konspirative nga politikanët kryesorë të Tiranës, duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve të sigurisë.
Përhapja e teorive konspirative dhe lajmeve të rreme mbi covid-19, është kryefjala e raportit të Shërbimit Informativ Shtetëror për çështjet e sigurisë në Shqipëri, gjatë vitit 2020. Në raportin e SHISH thuhet se aktorë shtetërorë dhe jo shtetëror të pozicionuar kundër SHBA-BE, u angazhuan në një fushatë të egër dezinformacioni në lidhje me COVID-19. Në raport nuk referohen emra, por thuhet se këta faktorë anti-perëndim, me fushatën e tyre, ndikuan në perceptimin e publikut mbi rrezikun e virusit, duke e konsideruar atë një shpikje biologjike. SHISH nënkupton në raport se pas kësaj fushatë fshihen Rusia dhe Kina, për t’ju kundërvënë SHBA-së dhe BE-së.
Në raport thuhet se “Situata e shkaktuar nga COVID-19 u shoqërua me fushata agresive dezinformimi dhe keqinformimi, të cilat ndikuan negativisht në përgjigjen reaguese dhe perceptimin e publikut mbi rrezikshmërinë reale të pandemisë. Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj”.
SHISH konstaton se mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false. “Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shënjestruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjhestruar sistemet demokratike si të dështuara.Në rajon dhe vendin tonë, propaganda dhe dezinformimi përbëjnë një ndër elementët e fushatës hibride që përdorin aktorët jo-perëndimorë në përballjen e tyre gjeopolitike me Perëndimin për arritjen e objektivave strategjike për t’iu kundërvënë dhe penguar proceset integruese euro-atlantike në rajon”.
Në raport flitet edhe për një koordinim ndërkombëtar për publikimin e lajmeve të rreme mbi covid, gjithnjë në kuadër kundër linjës së Perëndimit. “Një numër teorish konspirative janë shpërndarë nga platforma propaganduese, sociale e mediatike, që reflektuan edhe publikimet në kanalet mediatike shtetërore dhe jo-shtetërore të vendeve jo-perëndimore, të regjistruara në këto vende por edhe jashtë tyre, pa lidhje të qarta shtetërore. Shpërndarja e qëllimtë, por edhe për motive klikimi, nga llogari rrjetesh sociale, patën ndikim në perceptimin e publikut, me impakt në ulje të besueshmërisë për masat kundër COVID-19 dhe rrezikshmërinë reale të pandemisë. Hapësira online e vendeve të rajonit, por edhe vendit tonë, u bë shpërndarëse e këtyre narrativave”, thuhet në raport.
Sipas raportit të SHISH “Pandemia e shpejtoi përdorimin e diplomacisë agresive për të promovuar superioritetin e sistemeve politike autoritare…. Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare”.