Sektori i ndërtimit të banesave rezidenciale është bllokuar në tremujorin e tretë të këtij viti. Tremujori i tretë përkon me ndryshimin drejtuesve në shumë bashki të vendit, si rrjedhojë e zgjedhjeve lokale.
Në tremujorin e tretë 2015 janë miratuar gjithsej vetëm 12 leje ndërtimi, me një sipërfaqe rreth 18.555 m2, sipas statistikave të INSTAT. Në krahasim me një tremujor më parë, nurmi I lejeve ka rënë me 88%, ndërsa me tremujorin e tretë të një viti më parë tkurrja është më e thellë, duke arritur në 90%. Në periudhën korrik-shtator të një vit më parë vërshuan lejet, në pritje të bllokimit të tyre.
Në Tiranë janë dhënë vetëm 4 leje ndërtimi, nga 64 që ishin në tremujorin e mëparshëm.
Rënie të fortë ka dhe në Durrës, ku është dhënë vetëm 1 leje në verë, nga 23 në tremujorin e dytë. 2 leje të tjera janë dhënë në Elbasan, 4 në Fier dhe 1 në Shkodër.
Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 16,7 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesa për hotele, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 83,3 %.
Lejet e miratuara për ndërtesa zënë 65,4 % të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit miratuar në tremujorin e tretë 2015, ndërkaq lejet e miratuara për punime inxhinierike zënë 34,6 % të vlerës së përafërt të lejeve gjatë së njëjtës periudhë.
Ndërtimi megjithatë vazhdon rritjen
Të dhënat e shifrës së afarizimit të INSTAT treguan se në aktivitetin “Ndërtim”, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e tretë 2015 paraqet një rritje prej 10,7 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Volumi i ndërtimit paraqet një rritje prej 14,5 % krahasuar me të njejtën periudhë. Por kjo rritje vlerësohet të këtë ardhur nga element të tjerë si ndërtimi i hidrocentraleve, apo punët publike dhe punimet për gazsjellësin TAP./Monitor