Nga Alfred Peza
Nëse çmimi “Njeriu i vitit në Shqipëri” do t’i shkonte atij që doli më shumë në lajme gjatë 2015, ai padyshim do të ishte Sali Berisha. Por, tani që ne kemi hyrë plotësisht brenda fushës magnetike të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, nuk duam të mendojmë më për “revolucion demokratik”, për “përmbysje të aleancës së qelbësirave”, për dhunën e pashembullt verbale të një kryeopozitari që kërkon të rikthehet një sekondë e më parë në pushtetin e humbur me votën e shqiptarëve.
Edhe Lulzim Basha pati një dalje të detyruar në media, sidomos në javët e fundit të vitit, për shkak të rikthimit tek protestat. Por më shumë se për rezultatet kundër mazhorancës, për të u fol për ikjen pa gjurmë e pa lavdi nga kreu i Bashkisë së Tiranës, rënien e lidershipit brenda PD dhe për ngjirjen sistematike të zërit të trashur artificialisht, gjatë ligjërimit publik. Askush nuk e ka vënë në dyshim që Ilir Meta dhe LSI është një pol i rëndësishëm politik e pushteti. Ndaj, në një vend ku politika është sporti më popullor, emri i tij nuk kish si të mos ishte ndër më të lakuarit nga mediat. Herë për “qetësinë dhe dashurinë” me të cilat i kaloi furtunat e akuzave të Tom Doshit, herë për rezultatin në zgjedhjet lokale të 21 qershorit të këtij viti e sidomos, për “impulset e reja” që u krijuan në mazhorancë gjatë vjeshtës.
Edi Rama, i shqetësuar deri në detaj për cilësinë e formës së gjithçkaje, përveç publicistikës së fjalimeve si rrallëkush ndër 33 kryeministrat e historisë së këtij vendi, pjesën më të padukshme gjatë 2015, kishte përmasën e përmbajtjes së qeverisjes. Për shkak se më shumë se për strukturën, ai zhvilloi një nga betejat më të mëdha në këto 25 vjet, për ngritjen e superstrukturës juridike, organizative dhe politike të një Shqipërie të ardhshme moderne. Politikë të cilën do ta ndërtojë ekonominë, sigurinë dhe ardhmërinë e vet, mbi kolonat e reja të një shteti modern e funksional dhe bazuar në ligjshmërinë, në legalitet, legjitimitet dhe në shtetin e së drejtës. Për shkak të mungesës së rezultateve të shpejta e shumë të prekshme, pritshmëritë për “Rilindjen” e 2013 gjithsesi nuk ra, por u rikonfirmua me votën lokale, kur aleanca qeverisëse mori të njëjtin numër votash dhe fitoi 46 nga 61 bashkitë, e ku jetojnë rreth 80% e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Kurrë më parë se sa në muajt e fundit, nuk kemi patur të ndarë qartazi, dy Shqipëri. Shqipërinë pesimiste virtualisht të opozitës, mediave pranë tyre dhe një pjese të webmediave dhe rrjeteve sociale në internet, si dhe Shqipërinë reale. Shqipërinë reale të njerëzve që rritjen ekonomike nga 1.1% kur Rama mori pushtetin, në 2.7% sot, po presin ndoshta ta prekin në buxhetet e tyre personale e familjare përgjatë 2016, kur kjo rritje sipas BB e FMN, të arrijë në 3.4%. Më e larta ngjitje dinamike kjo në rajonin e Ballkanit, pas krizës së tmerrshme që kaloi ekonomia globale dhe Europiane, e sidomos ajo e Greqisë dhe Italisë, që goditi si kurrë më parë remitancat e familjeve tona me emigrantë në to.
Me premtimin e fortë se borxhi do ulet për herë të parë pas kaq vitesh rritje, në nivelet optimiste të 70%. E bashkë me rënien nga 25% në 20% të portofolit të kredive të këqija në banka, 2016 sjell veçse optimizëm për më shumë oksigjen në ekonomi, klimën e biznesit, ndjelljen e investimeve vendase e të huaja dhe rritjen e të ardhurave personale për çdo shqiptar. Është ndoshta kjo arsyeja se përse Banka Botërore deklaroi se “2016 pritet të jetë një vit i mirë për ekonominë shqiptare”. Garanci për këtë sipas drejtuesve të këtij institucioni, është “konsolidimi i vazhdueshëm fiskal, reformat e forta për klimën e investimeve dhe përmirësimi i sektorit financiar. F
aktor kyç këto, që do të kontribuojnë për rritjen ekonomike të Shqipërisë”. Me sa duket, të gjitha premisat janë që 2016, do të jetë një vit i mirë për Shqipërinë e për rrjedhojë edhe për të gjithë qytetarët e saj. Jo vetëm për shkak se për herë të parë në histori flamuri kuqezi do të jetë në qendër të skenës europiane të futbollit në Francë. As për shkak se jemi shpallur nga shumë media prestigjoze ndërkombëtare si një nga destinacionet më interesante të turizmit botëror. Por, mbi të gjitha, për shkak se presim që të korrim frytet e para të një sërë reformash të thella strukturore, që janë ndërmarrë në dy vitet e fundit. Durimi është i dhimbshëm, por frytet e saj janë të ëmbla. Ashtu siç uroj të jetë për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, viti i ri 2016!