Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani pas 20 vitesh luftë, mund të ketë një ndikim të pashlyeshëm në mënyrën se si do të shihet Amerika në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, ekspertët vërejnë se ndërsa talebanët përparojnë në marrjen e pushtetit, tërheqja e papritur diplomatike amerikane nga Kabuli dërgon një sinjal të pagabueshëm, jo ai që do të dëshironte të dërgonte Uashingtoni.
Ndërkaq, nga Afganistani ka patur zhvendosje masive të civilëve të pambrojtur që përpiqen t’u shpëtojnë luftimeve. Këmbanat e alarmit mbi rrezikun e një krize humanitare, sa vijnë dhe shtohen. Por si lindi lëvizja e talebanëve? Ajo u themelua në Afganistanin jugor nga Mulla Mohammad Omar, një anëtar i fisit Pashtun, i cili u bë komandant muxhahedin që ndihmoi në largimin e sovjetikëve nga vendi në vitin 1989. Mullah Omar formoi grupin në Kandahar me rreth 50 ndjekës në vitin 1994, me synimin për të sfiduar paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe krimin që konsumoi Afganistanin gjatë luftës civile të epokës post-sovjetike.
Pasi morën me shpejtësi Kandahar -in dhe kryeqytetin, Kabul, në vitin 1996, ndërsa afganët ishin të pakënaqur me pasigurinë e vendit, Talebanët vendosën rregulla të rrepta islame që ndaluan televizionin dhe muzikën, i ndaluan vajzat të shkonin në shkollë dhe i detyruan gratë të mbanin mbulesa të quajtura burka. Ekstremistët i siguruan Osama Bin Ladenit mbrojtje, ndërsa ai planifikoi sulmet terroriste të 11 shtatorit.
Kur talebanët refuzuan kërkesat e Shteteve të Bashkuara për të dorëzuar bin Ladenin, forcat amerikane pushtuan Afganistanin dhe rrëzuan shpejt qeverinë e Mullah Omar, i cili bashkë me udhëheqës të tjerë talebanë gjetën një vend të sigurt në Pakistanin fqinj, ndërsa filluan një fushatë kryengritëse për të rimarrë pushtetin në Afganistan. Në shkurt të vitit 2020, SHBA-të dhe talebanët nënshkruan një marrëveshje historike që përcaktoi një afat 14-mujor që Amerika të tërhiqte të gjitha forcat e saj nga Afganistani. Ndërkohë, bisedimet midis talebanëve dhe qeverisë afgane që kishin për qëllim përfundimin e luftës janë ende pa rezultat.