Ministria e Brendshme njofton qytetarët se shumica dërrmuese e zyrave të aplikimit për karta ID dhe pasaporta, do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në aplikimin e qytetarit të fundit në radhë.
Ky vendim është marrë me qëllim për të lehtësuar fluksin e aplikimeve gjatë ditëve të javës, për shkak të ardhjes në atdhe të shtetasve me banim jashtë vendit, të cilët kanë nevojë të rinovojnë dokumentet e identitetit.
Lista e zyrave të aplikimit pranë gjendjes civile që do të jenë të hapura të shtunën (14 gusht) është si më poshtë:
– Të gjitha zyrat e aplikimit në qarkun Tiranë, përfshirë bashkitë Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë;
– Në Durrës, rajonet 3, 4, 5 dhe 6, përfshirë zyrat në bashkinë Krujë dhe njësitë administrative Fushë-Krujë, Xhafzotaj dhe Sukth;
– Bashkia Berat, Gjirokastër, Peshkopi, Elbasan, Belsh, Fier, Lushnje, Divjakë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vau i Dejës, Koplik, Vlorë, Sarandë.
Rikujtojmë se riaplikimi për kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit.
/b.h