Rritja e rasteve me koronavirus është pasuar edhe shtimin e pacientëve në Spitalin Infektiv. Në një intervistë për televizionin Klan shefja e spitalit Covid 1, Najada Çomo tregon se janë rikthyer edhe rastet e rënda në terapi intensive.
“Numri i pacienteve nga rifillimi i shtimit të rasteve, ka qenë rreth 86, sot kemi rreth 38 pacientë. Kemi pacientë në gjendje kritike, në terapi intensive, kemi në gjendje të mesme, të renë dhe kritike që janë nën ventilim mekanik”.
Të shtruar në spital ka nga të gjitha moshat.
“Nga 21 vjeç që është më e re deri në 82-vjeçare, ato mosha të reja janë persona që kanë bërë komplikacione nuk janë në situatë të rënduar, grup mosha që zë peshën më të madhe është 60-75 vjeçare”.
Mosvaksinimi i ka çuar në spital shumicën e pacientëve, por ka patur raste të infektimin tek ata që kanë bërë vetëm një dozë.
“Në grupin e pacientëve të shtruar ka pas dhe nga ata që ishin të vaksinuar me një dozë, dhe pjesa më e madhe kanë dalë në gjendje të mire nga spitali dhe situata është përmirësuar në një kohë të shkurtër.”
Duke krahasuar situatën e shtrimeve mes Korrikut të 2021 me atë të 2020, Çomo thotë se vaksinimi ka dhënë ndikim pozitiv.
“Krahasuar me vjet diferenca është e madhe dhe peshën në uljen e numrit të rasteve e zë procesi i vaksinimit”.
Shefja e spitalit Covid1 apelon për vaksinim të shpejt, pasi vjeshta do të sjell rritje të qarkullimit të virozave dhe Covid-19.
/a.r