Një rrjet shpërndarësish kokaine e kanabisi është shkatërruër në Dibër. Katër anëtarë të rrjetit kanë rënë në pranga teksa një tjetër është shpallur në kërkim.
Saktësisht janë arrestuar 21-vjeçari Diamonit Kapxhiu, 24-vjeçari Erlind Nura, 40-vjeçari Ernal Shulku dhe 36-vjeçari Kleo Kaleshi. Ndërkohë është shpallur në kërkim 23-vjeçari Tajson Tafa.
Po ashtu u sekuestruan 2 automjete dhe 8 celularë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Finalizohet pas një hetimi tremujor, operacioni policor i koduar “Eklipsi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Shpërndanin doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të qarkut Dibër, vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Gjatë operacionit u sekuestruan kokainë, cannabis sativa, 2 automjete dhe 8 aparate celular.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e mbledhura se një grup personash posedonin dhe merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër regjistruan në Prokurori, procedimin penal për dokumentimin me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Pas një hetimi të mirëfilltë tremujor, bazuar në provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Eklipsi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
D.K., 21 vjeç, E. N., 24 vjeç, E. Sh., 40 vjeç dhe K. K., 36 vjeç, të gjithë banues në Peshkopi.
Gjithashtu u shpall në kërkim policor shtetasi T. T., 23 vjeç.
Shtetasit e lartpërmendur janë arrestuar në flagrancë gjatë operacionit, në një lokal në qytetin e Peshkopisë, ku gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me kokainë dhe 500 doza cannabis sativa që do shpërndahej në doza. Gjithashtu u sekuestruan dy automjetet me të cilat këta shtetas qarkullonin dhe shpërndanin lëndën narkotike, si dhe 8 aparate celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
/b.h