Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e të enjtes në Britaninë e Madhe. Mediat vendase raportojnë se të paktën 5 persona janë vrarë pasi një person i armatosur hapi zjarri në Plymouth, ndërsa në fund agresori qëlloi për vdekje veten.
Deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht 5 të vdekur, por numri i viktimave mund të jetë më i lartë. Në mesin e të vdekurve janë disa persona të afërt me agresorin, mes të cilëve edhe nëna e tij.
Dëshmitarët në vendngjarje thonë se i vdekur ka mbetur edhe një fëmijë i vogël, sidoqoftë kjo mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht.
Paraprakisht nuk ka dyshime se ngjarja mund të ketë prapavijë terroriste. Sulmi është konsideruar “tronditës’ nga autoritetet vendase që u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin këshillat e efektivëve dhe të lejojnë shërbimet e Urgjencës të bëjnë punën e tyre.
Në operacion u përfshinë njësitë më të rëndësishme të policisë britanike, ndërsa në vendngjarje ishin tre ambulanca. Nuk dihen ende motivet që e kanë shtyrë autorin të kryejë një masakër me përmasa të tilla.
/b.h