Prej ditësh forca të shumta operacionale, efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës të emergjencave civile e shërbimeve vendore po punojnë për shuarjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit. Pavarësisht punës së pandërprerë, disa vatra zjarri janë ende problematike.
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Dukat i Ri, në Gadishullin e Karaburunit, e cila paraqitet rrezikshmëri, pasi ka përhapje në drejtim të Parkut Kombetar të Llogarasë. Prej orëve të para të mëngjesit ka rinisur operacioni edhe nga ajri.
Vatra tjetër kritike është ajo në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit, ku ka vijuar puna për mbajtjen nën kontroll, në mënyrë që flakët të mos kërcënojnë banesat. Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet rrezik për banesa, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij. Zjarri në fshatin Munellë-Domgjon është izoluar në njërin krah, por po vijon puna në krahun tjetër, ku ende ka prani flakësh.
Prej ditës së djeshme po punohet për shuarjen e flakëve në masivin me pisha në fshatin Krushovë, në njësinë administrative Voskopojë. Prej orëve të para janë shtuar forcat e ndërhyrjes nga FA, zjarrfikësit si dhe struktura të tjera të bashkisë Korçë e bashkive fqinje.
Situatë e vështirë zjarri ka qenë dje, në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Mirditë. Sot vazhdon zjarri në shkurre, ndërsa janë shtuar forcat operacionale.
Në fshatin Corrush në Mallakastër janë izoluar dy vatra, por puna vijon për izolimin e flakëve në tre vatra të tjera aktive, të cilat janë në terren të vështirë.
Në fshatin Bogë, njësia administrative Shkrel është aktivizuar një vatër zjarri mbrëmjen e djeshme. Nuk paraqet rrezik për banesat.
Një vatër zjarri është njoftuar në Parkun e Tomorrit në lartësinë mbi 1500 m, por situata po ndiqet nga forcat vendore.
/b.h