Maqedonia e Veriut shtohet në listën e vendeve që kërkojnë pasaportën shëndetësore si kusht për pjesëmarrje në aktivitete me më shumë se 30 persona. Vendimi i qeverisë vjen pas numrit të shtuar të infeksioneve në vend dhe normës së ulët të vaksinimit.
“Nga data 16 gusht nuk do të lejohet aktiviteti i bizneseve në ambiente të mbyllura, do të jetë e detyrueshme certifikata shëndetësore dhe do të kontrollohet paraqitja e dëshmisë së vaksinimit në çdo lloj objekti në natyrë, përfshirë objektet e hotelerisë, ku ka më shumë se 30 persona të pranishëm. Shërbimet kompetente të inspektimit janë të detyruara në periudhën e ardhshme të intensifikojnë kontrollet në mënyrë që të zbatojnë dhe respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet parandaluese, masat e përkohshme dhe masat e urdhëruara në lidhje me KOVID-19”, tha Zaev.
Në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 550 mijë persona, prej tyre rreth 425 mijë me nga dy doza.
Ndërkohë, edhe në Kosovë, ministria e shëndetësië nuk e përjashton mundësinë e shtrëngimit të kufizimeve për të pavaksinuarit. Zëdhënësi Faik Hoti shprehet se qytetarët hezitojnë të imunizohen.
“Normalisht ne shohim praktikat që po i ndërmarrin shtetet e tjera dhe nuk përjashtohet asnjë lloj mundësie që procesi i vaksinimit të rritet, që të kemi përgjigje më pozitive të popullatës, por tani për tani në Kosovë janë duke u administruar dozat e para dhe të dyta ne do shohim dhe do bëjmë analiza të rregullta se cila është shkalla e përfshirjes së popullatës në vaksinim e cila nuk përjashton mundësinë edhe të ndonjë mase restriktive sikur që nuk përjashtohet mundësia edhe të ndonjë mënyre tjetër të bërjes së procesit më atraktiv që qytetarët të kenë më tepër vullnet për t’u vaksinuar.”
Që nga fundi i marsit të këtij viti, kur ka nisur vaksinimi në Kosovë, kanë marrë të dyja dozat e vaksinës vetëm 165 mijë banorë.
/a.r