Aleanca për Teatrit i ka bërë sot thirrje SPAK-ut që të vendosë sekuestro preventive mbi truallin ku ngrihej Teatri Kombëtar.
Në fjalën e mbajtur artistët dhe përfaqësues të aleancës theksuan se VKM-ja e re i hap rrugë ndërtimit të kullave mbi truallin e teatrit.
Avokatja Adriana Kalaja tha se ka paditur në SPAK një sërë zyrtarësh të lartë të ekzekutivit, përfshirë kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj.
“Kemi argumentuar se është e vërtetuar katërçipërisht, kallëzimi i bërë me kohë që në maj të 2020, që disponimi apo përdorimi i truallit te teatrit përbën vepër penale. Kemi kërkuar sekuestro preventive mbi truallin. Në VKM-në e re nuk artikulohet fjala Teatri Kombëtar. Duan të shuajnë historinë. Kjo VKM i hap rrugën ndërtimit të kullave në truallin e Teatrit. Ne e konsiderojmë emergjencë, që drejtuesi i SPAK të vihet në lëvizje dhe të zbatojë ligjin lidhur me marrjen e sekuestros. Nëse brenda javës Prokuroria nuk do të marrë masa, do vazhdojmë me hapa të agravuar. Do sensibilizojmë institucionet ndërkombëtare”, tha Kalaja.
Ndërsa regjisori dhe aktori Edmond Budina u shpreh: “Jemi këtu për të denoncuar një tjetër akt vandal të një qeverie kriminale. Kjo VKM shkel ashpër Kushtetutën, dhe ata që e firmosin janë ca burracakë. Jemi këtu për të vendosur drejtësi në këtë vend sepse ky shtet ka rënë”.
Aktori i njohur Mehdi Malkaj recitoi disa vargje të Çajupit “Shqipërinë e mori turku i vu zjarr!”, duke e ripërshtatur: “Shqipërinë e mori Edi i vu zjarr! Shqiptar mos rri po duku shqiptar”.
Regjisori dhe aktori Robert Budina u zotua se do ti shkohet deri në fund kauzës, ndërsa u shpreh: “ Ne do ta çojmë deri në fund. Në këtë histori ndërkombëtarët kanë dashur të ndihmojnë reformën në drejtësi, po shikojnë se si demokracia shqiptare shquhet me mjetet e tyre. Jo të gjithë ndërkombëtarët, janë burokratët. Nëse këta burokratë nuk e bëjnë detyrën, ne do sjellim ata njerëz me vlera evropiane ti sjellim këtu si arbitër. Teatri Kombëtar mblodhi të gjitha poshtërsitë e kësaj qeverie”.
g.kosovari