Gjatë këtij viti, numri i emigrantëve që hynë në Europë, qoftë në rrugë detare apo tokësore ka kaluar shifrën e 1 milion personave. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin tha se numri i emigrantëve për këtë vit është 4 fish më i lartë sesa viti 2014.
Pjesa dërrmuese e emigrantëve kanë arritur kontinentin e vjetër përmes detit, me mbi 800 mijë njësi që kanë udhëtuar nga Turqia për në Greqi.
Shumica e refugjatëve janë nga Siria, Iraku dhe Afganistani. ONM thotë gjithashtu se, 3.695 emigrantë janë mbytur në përpjekje për të arritur brigjet evropiane, ose konsiderohen ende të humbur.
Kuota historike, ka saktësuar ONM, u tejkalua ditën e hënë kur totali i të ardhurve arriti 1 milion e 5.504 njësi. Shifra në fjalë mbulon hyrjet nga 6 shtete anëtare të BE-së, Greqia, Bullgaria, Italia, Spanja, Malta dhe Qiproja.
Pjesën dërrmuese të refugjatëve e përbëjnë ata nga Siria me rreth 455 mijë njësi, 186 mijë më shumë se ata nga Afganistani.
Një raport i OKB-së i publikuar javën e kaluar paralajmëronte se, numri i njerëzve të zhvendosur në mbarë botën do të kalojë kuotën e 60 milionëve këtë vit.