Ish-zëvendës ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka mbërritur pak minuta më parë në Prokurorinë e Posaçme.
SPAK ka thirrur deputetin e zgjedhur, pas një statusi publikuar prej tij në rrjetet sociale pak ditë më parë, ndërsa i kërkonte SPAK të hetonte financat publike në Fier, që sipas Kocit ishin në duart e trafikantëve.
SPAK hapi një çështje pas deklaratave të deputetit të zgjedhur, i cili shkruante se tenderat në Fier po fitohen nga trafikantët.
Deklarata e Koçit bërë pak ditë më parë në faqen e tij të “Facebook”:
Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji.
Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.
Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.
Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.
Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.
/a.r