Nga Johan Seitaj
Kjo është fraza që më përplaset më shpesh nga tifozët e politikanëve të korruptuar shqiptarë dhe që nuk kuptojnë dot as vetë se çfarë duhet të ndodhë që t’i gëzohen hedhjes së themeleve të drejtësisë së munguar në Shqipëri, kështu që po e ndaj me ju.
3 fazat e perceptimit të “turmës” mbi korrupsionin dhe dhënien e llogarisë nga ana e zyrtarëve shtetërorë janë një evoluim i kushtëzuar prej kulturës së mos-dënimit që fatkeqësisht është kultivuar në Shqipëri.
Fazat janë këto:
- Zyrtarët i caktojnë vetë organet ligj-zbatuese dhe si rrjedhojë këto të fundit nuk kanë guximin t’i dënojnë punëdhënësit e tyre.
- Zyrtarët e blejnë drejtësinë dhe prandaj nuk japin kurrë llogari për shkeljet që bëjnë.
- Dhe e fundit, pasi tashmë është kthyer edhe modë – Zyrtarët shqiptarë kanë arritur një pushtet të tillë që arrijnë të kontrollojnë edhe veprimet e DASH (Departamentit Amerikan të Shtetit).
Për fazën e parë të gjithë mund të ndihemi komodë për sa i përket gjetjes, sepse nuk është vështirësi e madhe, realiteti është që zyrtarët caktonin prokurorë, gjykatës dhe policë, ndaj këta të fundit kishin vështirësi reale për të nxjerrë punëdhënësin para përgjegjësisë, sepse nuk do ishte çudi që të mbeteshin të papunë. Kjo fazë fatkeqësisht mbolli farën e mosbesimit tek qytetarët e thjeshtë.
Faza e dytë ishte mbrujtje e të parës duke shtuar faktin që tashmë nuk kanë as pse t’i shkarkojnë, pasi janë kthyer në klientelë të njëra-tjetrës. Lidhja klienteliste ishte e tillë – Zyrtarët vjedhin paratë dhe paguajnë për të blerë drejtësinë. Drejtësia shet veten për të lejuar vjedhjen e parave publike, si edhe i shet drejtësinë“prurësit më të parë” të shumës më të madhe monetare në rastet e qytetarëve të thjeshtë. Dhe ekuacioni përfundon me faktin që, paratë publike shërbejnë për pasurimin e të dyja këtyre hallkave ligjbërës dhe ligjvënës, gjithmonë në kurriz të qytetarëve.
Ndërsa faza e 3-tëështë sa interesante, aq edhe qesharake. Interesante për të bërë matjen e perceptimit të turmës, e cila nuk vë logjikën në punë, por mendon dhe vepron mbi forcën e zakonit, ose siç do ta quante George Santayana “mbi besimin shtazarak”, apo në mënyrë të thjeshtëzuar “instiktit”. Pikërisht ky besim i formuar ndër dekada në shoqërinë shqiptare, ka sjellë teorinë e re konspirative që tashmë ia ka kaluar në frymë edhe konspiracioneve për disa organizata të fshehta që kontrollojnë botën. Nëse për këto organizata thuhet që mundohen të qëndrojnë të fshehura e të kenë ndikim në zyrtarët më të fuqishëm të globit, kryesisht zyrtarët e lartë amerikanë, pasi nëpërmjet tyre kontrollojnë botën, në rastin e Shqipërisë kryeministri, apo zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë kontrollojnë në mënyrë të hapur DASH dhe zyrtarët më të lartë të tij. Madje fantazia shkon edhe më tej, deri tek kontrolli i presidentit i SHBA-ve, që së fundmi ka mbajtur një qëndrim për t’u përgëzuar në raport me korrupsionin dhe llogaridhënien ligjore të zyrtarëve në Shqipëri.
Fatkeqësia e fazës së tretë qëndron tek fakti që këtë mendim po e ushqejnë njerëz që janë vetë objekt i hetimit për shkak të përvetësimit të parasë publike, por shfrytëzojnë sjelljen, apo qëndrimin instiktiv të qytetarëve dhe mundohen të rrisin produktin e ushqyer prej po këtij instikti.
Faza e 3-të është edhe më e rëndësishme sepse varietet e mendimit dhe lëmi i përsosjes në funksion të shpëtimit të përvetësuesve të parave publike nga llogaridhënia para drejtësisë ka sjellë disa teza fantashkencë, si psh: - Kryeministri shqiptar ka mik Sorosin dhe ky i fundit bën politikën e DASH.
Në fakt është krejt e kundërta, Soros është një ushtar i bindur i politikave të DASH, pasi nëse nuk do ishte i tillë, ka shumë ushtarë të tjerë të gatshëm të rreshtohen dhe të gëzojnë benefitet e Sorosit. Këtë fakt që po jap e provoi beteja që bëri ish-Presindeti Trump kundër Soros dhe nëse do kishte pasur këtë ndikim që flitet, do ta kishte ndërruar me “klientin” e radhës, por mesa duket kur ka parë letrat e DASH, ka kuptuar që ai është ushtar i Amerikës dhe jo shtabi i përgjithshëm i saj. Ndaj që Rama nëpërmjet Soros të kontrollojë politikën amerikane dhe presidentin e SHBA është një fluskë sapuni, pasi ju siguroj që nëse Rama do kishte këtë fuqi, do ishin kishte pasur luftë mes investitorëve të fuqishëm globalë për të investuar në Shqipëri për t’i rënë në sy dhe të miqësoheshin me njeriun më të fuqishëm të globit që kontrollon edhe vetë DASH, dhe jo që ky njeriu më i fuqishëm, “kontrollori” i parë të detyrohet të marrë eurobond tjetër tani së fundmi për të përballuar shpenzimet e rrogave dhe investimeve të planifikuara në buxhet.
Kur nuk ecën kjo teori, shkëmbehet shpejt me tjetrën: - Dakord, nuk kontrollon DASH, por kontrollon Reformën në Drejtësi. Kjo është sa e turpshme aq edhe e pështirë, pasi është detyruar vetë z. Blinken të dalë me zë dhe me figurë dhe të pohojë: Reformën e bëmë ne dhe kontrollohet nga ne. Kontrolli në këtë rast është garancia qëçdo lëvizje po monitorohet prej një aleati që deri më sot ka atreguar që na ka dashur vetëm të mirën dhe kurrë të keqen tonë si komb. Nuk duhet harruar sesa herë ka dalë edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë për të bërë të njëjtin pohim si z. Blinken.
Këtu pështirosja qëndron në faktin që menjëherë pas këtyre pohimeve, të rrezikuarit nga drejtësia nxjerrin tezën e nacionalizmit, duke thënë që ne jemi shtet sovran dhe jo shtet ambasadorësh, apo nën protektorat. Por nëse sheh protestat apo mitingjet e tyre nuk mungojnë flamujt e SHBA-së, madje edhe në tavolinat e tyre të punës…
Kur shohin që as kjo nuk funksionon, kalojnë te pika e tretë: - Nëse nuk e kontrollon kryeministri drejtësinë, përse nuk burgoset kryeministri?
Këtu fillon instikti i turmës të marrë formën e prishur që mundohen t’i japin subjektet e rrezikuara nga reforma. Dhe këtu turma fillon eksitimin, sepse si çdo instinkt përfundimi është emocional dhe pak larg nga realiteti. Si fillim, askujt nuk i intereson burgosja e askujt sepse do ishin lekë të hedhura dëm që ne si qytetarë duhet të paguajmë për të mbajtur me kushtet që janë mësuar nëpër shtëpitë e përfituara me lekë të përvetësuara në mënyrë të padrejtë këta zyrtarë të korruptuar dhe sa për dijeni kushton shumë mbajtja e një të burgosuri. Ajo që duhet të na interesojë është t’u merren pronat e përfituara në mënyrë të padrejtë dhe t’i kthehen shtetit shqiptar, në funksion të qytetarëve. Flitet gjithashtu edhe për shuma marramendëse parash të perceptuara të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë. Dhe bëhet fjalë për toka dhe prona deri në 2 mijë HA në zonat më të vlerësuara turistike të Shqipërisë. Doni vendin, shihni lajmet për hipotekën e Vlorës, që përfshin edhe pronat në Himarë, Dhërmi, Sarandë, e që nuk ka këllqe asnjë drejtor ta marrë përsipër (u ndërruan 8 të tillë në pak kohë).
Pastaj del teza tjetër: Përse arrestojnë zyrtarë të vegjël në fillim? Sepse shkenca hetimore kështu funksionon, pasi kështu funksion edhe korrupsioni në Shqipëri, njësoj si në sistemin otoman. I pari emëron të dytin dhe i kërkon hisen për emërimin që i bën. Pra referuar periudhës osmane, Sulltani emëron pashallarët dhe këta të fundit duhet të dorëzojnë shumën e caktuar që u ka kërkuar Sulltani. E nga pashai zbret më poshtë ku secila prej hallkave shton përveç pjesës së Sulltanit, edhe atë të Pashait, edhe atë të vetën e kështu me radhë. Ndaj drejtësia duhet ta nisë nga këta të vegjlit për të nxjerrë provat se çfarë u është kërkuar prej pashallarëve, apo sulltanit.
Shënim final: Vetëm revolucionet presin në fillim kokat e mbretërve nëpërmjet gjyqit popullor dhe ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë ndodhi kur gjykonte populli, ose hetuesit e klasës punëtore që nuk shqiptonin dot emrin e tyre dhe të kuptojnë konceptet gjyqësore. Ndaj këto gjyqet e sovjetëve bëjmë mirë që t’i heqim nga mendja njëherë e mirë dhe të bëjmë detyrën tonë si qytetarë denoncues për këdo që ka përfituar nga paratë publike.