Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se amnistia që qeveria ka sjellë në parlament bëhet për të parandaluar mbipopullimin e burgjeve shqiptare, që sipas Manjanit po vuajnë nga një sistem i dështuar i ndjekjes penale. Manjani tha se sistemi i ndjekjes penale në Shqipëri është në kolaps apo gjatë kolapsimit të tij pasi aktualisht personat e dënuar janë 3078 nga 6280 shtetas që ndodhen aktualisht në burg. Ministri Drejtësisë tha se burgjet shqiptare kanë kapacitet 5484 persona.
“Mbipopullimi nuk është një fenomen i ri, është i lidhur me problemet ekonomike që ka dhe ka patur vendi. Më lejoni tju tregoj si është situata.5484 persona është kapaciteti i burgjeve shqiptare, aktualisht në burgje janë 6 mijë e ca persona, pra diku tek 800 veta më shumë. Sistemi ynë i ndjekjes penale është në kolaps apo pranë kolapsit. Dhe pikërisht për këtë duhet një reformë e thellë në sitemin e ndjekjes penale, sepse prodhohen më shumë persona të padënuar sesa të dënuar. Sigurisht unë jam koshient se amnistia nuk është zgjidhja, dhe e përsëris, amnistia i takon parlamentit… ne thjesht kemi sjellë një projekligj.” –tha Manjani.
Ylli Manjani iu kundërpërgjigj edhe akuzave që bëri më parë deputeti demokrat Ord Bylykbashi, i cili tha se qeveria po i përdor aministitë sikur të ishin dhurata për “krishtlindje”.
“Detyra ime si ministër është të shpjegoj situatën ndërsa kompetenca është e këtij parlamenti. Nëse do parlamenti amnistia bëhet nëse nuk do është e pabëshme, kështu thotë kushtetuta dhe nuk ka të bëjë fare me çfarë thotë Ministri apo qeveria. Sigurisht që politika është e pashmangshme por ju siguroj se për këtë nismë nuk ka patur asnjë qëllim politik.”- sqaroi Manjani.
Bylykbashi shtoi më parë se qeveria po burgos persona që qëndrojnë në shtëpi por nuk kanë paguar dritat.
“Kemi të bëjmë me amnistinë e tretë që shpallni në 2 vjet. Dikë që rri në shtëpi pa drita e quani hajdut të energjisë. Pa dalë fare nga shtëpia. Ndërsa për shpërndarësit e drogës ju shpallni amnisti. Kjo ka qenë një qeverisje në shenjën e së keqes jo vetëm për kriminalizimin që i keni bërë politikës, por edhe jetës në Shqipëri. Qeveria juaj karakterizohet nga padrejtësia”, ka thënë Bylykbashi, i cili të tillë ka quajtur ligjin e pronave të miratuar nga mazhoranca.”- theksoi Bylykbashi.