Nga Bledi Lumani
Kur një parti mbledh Kuvendin e saj Kombëtar, pas humbjes së zgjedhjeve, sidomos kur është humbja e tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare, çka do të thotë 12 vite të gjata në opozitë, çdokush mendon se do të bëhet një analizë serioze për shkaqet e humbjes dhe si mund të fitohet në zgjedhjet e ardhshme.
Por çuditërisht, në Kuvendin e Partisë Demokratike nuk ka ndodhur kështu.
Ata i kanë rënë shkurt, duke thënë se fajin që humbën e ka Edi Rama, se ai nuk i la të fitonin, duke iu vjedhur zgjedhjet.
Natyrisht, provat bindëse për këto pretendime mungojnë.
Por, e marrim të mirëqenë se nuk i la Rama të fitonin dhe iu vodhi votat.
Pyetja që ngrihet është, si do të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, se prapë Edi Ramën do të kenë përballë?
Si do t’ia bëjnë që të mos i vjedhë, se kanë të paktën dy palë zgjedhje parlamentare, që thonë se po humbasin ngaqë Edi Rama iu grabit votat?
Si nuk doli në njeri me logjikë normale, e të thotë se vërtet Edi Rama mund t’iu ketë vjedhur votat, por është po aq e vërtetë se ata humbën edhe për shkak të vendimit të Luzim Bashës për t’u larguar nga Parlamenti, çka i dha mundësinë Ramës të ndryshonte Kodin Elektoral, gjë që ishte deçizive në humbjen e opozitës!
Si nuk doli dikush e të thotë se vërtet ky Edi Rama është i tmerrshëm e të bën gjëmën, aq më tepër që ka të gjitha pushtetet, por a nuk ishte vetë Lulzim Basha që ia dorëzoi gjithë Bashkitë, duke bojkotuar zgjedhjet vendore!
Dhe dihet, pushteti në Bashki, përkthehet në vota të punonjësve, punësime, rrugë, ujësjellësa, investime etj etj, që të japin vota.
Nuk po them pastaj që të dilte dikush e të thoshte se opozita humbi edhe për shkak se u identifikua me dyshen Berisha-Meta, se kjo do të ishte e tepërt, por dy arsyet e para edhe mund t’i përmendnin.
Se është e lehtë të dalësh e të thuash Rama, Rama, Rama.
Problemi është se zgjedhjet e ardhshme vendore janë tek dera dhe nuk mund të vazhdohet me refrenin e Ramës.
Ndryshe, kot që merrni pjesë në zgjedhje, kuptohet nëse doni të fitoni ndonjëherë!
rama eshte i vetmi qe mund ta bej shqiperine dhe shyqyr zotit shqiptaret e kuptuan . kjo duket nga perqindja e larte ne votime . kaloi termetin, virusin, e perballoi me mire se cdo shtet tjeter ne bote, me kete ekonomi qe kemi, po ec e thuaja lulit dhe shokve te tij te verber…