Për herë të dytë që prej fillimit të procesit të vetingut, një vëzhgues i ONM-së ka kundërshtuar vendimin e trupave të vetingut në shkarkimin e një magjistrati si të pabazuar. Steven Kessler në argumentet e tij kundër shkarkimit të prokurorit Genci Qana thotë se vendimi është marrë mbi gjetje “jashtëzakonisht të parëndësishme” dhe është jopropocional.
Nga Vladimir Karaj
Prokurori i Tiranës, Genci Qana u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 31 mars 2021, pas një seance dëgjimore në të cilën prokurori u shpreh me superlativa për procesin e vetingut me besimin se do të konfirmohej.
Vendimi është zbardhur më 15 korrik, 44 ditë pune në shkelje të afatit ligjor prej 30 ditësh që Komisioni ka për zbardhjen e vendimeve.
Vendimi i shkarkimit të Qanës është kritikuar përmes njërit nga mendimet e pakëta kundër të këtij lloji nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili i konsideron argumentet e KPK-së si “plotësisht të paarsyeshme” dhe se “korruptonin qëllimin e ligjit”.
Trupa që shkarkoi Qanën e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, kryesuese, Xhensila Pine, relatore dhe Etleda Çiftja anëtare, arsyeton unanimisht se shkarkimi bazohej mbi deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, mungesë burimesh financiare dhe mosdeklarimin e një lapsusi të gjendjes civile në vitet ‘96-‘97 që ndryshoi “n-në” me një “m” për 8 muaj në mbiemrin e prokurorit. KPK në vendim shprehet se Qana kishte shkelur pikën 3 të nenit 61 të ligjit për rivlerësimin; përkatësisht deklarim i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe atë të figurës.
Por vëzhguesi i ONM-së, Steven Kessler arsyeton se “nuk kishte asnjë bazë” për të aplikuar këtë parashikim ligjor.
Ky është opinioni i dytë kundër një shkarkimin prej ONM-së, pas atij që Ferdinando Buatier de Mongeot dha kundër vendimit të Kolegjit të Posaçëm për shkarkimin e ish-prokurores Antoneta Sevdari. Ndërkohë që prej fillimit të procesit të vetingut, ONM që ka bërë 19 rekomandime për shkarkim apo rihetim për subjekte të konfirmuara në Komision.
Lapsusi në mbiemër
Sipas vendimit të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një nga arsyet e shkarkimit të prokurorit Genci Qana ishte mosdeklarimi në formularin e kriterit të figurës ndryshimin për tetë muaj të mbiemrit të tij nga Qana në Qama.
Informacioni mbërriti në KPK përmes një denoncimi dhe u konsiderua lapsus i gjendjes civile, i cili u korrigjua brenda një kohe të shkurtër prej tyre.
Por pavarësisht se Qana këmbënguli se nuk kishte pasur dijeni për lapsusin dhe se ky i fundit rezultoi të mos ishte përdorur as për blerje pasurie dhe as për ndonjë qëllim tjetër, Komisioni këmbënguli se mosdeklarimi në formular ishte shkarkues.
KPK arsyeton se “argumenti i përdorur nga subjekti i rivlerësimit mbi padijeninë e tij, nuk mund të pranohet pasi sfidon logjikën dhe justifikimi i parashtruar prej subjektit mbi padijeninë e tij është i papërfillshëm”.
Komisioni arsyeton se përtej rëndësisë së faktin, ndryshimi i gërmës së mbiemrit duhej të ishte deklaruar dhe se mosdeklarimi ndëshkohej automatikisht me shkarkim.
“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të figurës”, thuhet në vendim.
Por vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler argumenton se në këtë arsyetim mungon qartësisht propocionaliteti. Ai thotë se ndryshimi i gërmës apo shtimi i bishtit të “n-së” ishte një gabim krejt i parëndësishëm i një zyrtari dhe se Qana nuk mund të mbahej në asnjë mënyrë përgjegjës për këtë.
“Për këtë vëzhgues ndërkombëtar është hutuese që ky gabim shkrimi dore apo makine shkrimi i ngarkohet subjektit dhe që dekada më vonë, përdoret për shkarkimin e tij nga puna”, thuhet në arsyetim.
Kessler thotë se askush nuk duhet të shkarkohet nga për kësi “faktesh jashtëzakonisht të parëndësishme”.
“T’i veshësh këto fakte me lugë këpucësh në nenin 61 (3) dhe t’i kategorizosh si deklarim i pamjaftueshëm, është korruptim qoftë i kuptimit, qoftë i qëllimit legjitim të kërkesës për deklarim të plotë,” shprehet ai në mendimin e tij kundër.
Kessler thotë se këto fakte “ulërisnin” për përdorim të propocionalitetit dhe se nuk kishte arsye që subjekti të gënjente KPK për gabimin e një zyrtari vite më herët.
Argumentet në kriterin e pasurisë
Shkarkimi i Qanës është sipas Komisionit i bazuar edhe në mungesën e të ardhurave në shumën 1.1 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në vitin 2001. Kjo mungesë vjen kryesisht prej moskonsiderimit si të ligjshme të 945 mijë lekëve të fituara nga bashkëshortja e prokurorit nga puna e saj në dy organizata jo-fitimprurëse.
Trupa e KPK arsyeton se dokumentet që Qana vuri në dispozicion për të provuar se e shoqja ishte paguar dhe se për këto paga ishin paguar detyrimet ishin kontradiktore me njëri-tjetrin. Sipas KPK-së, këto të ardhura nuk ishin deklaruar në deklaratën “veting” dhe se për to nuk provohej pagesa e tatimeve.
“Rezultuan mospërputhje lidhur me të dhënat e pasqyruara në dokumentacionin e paraqitur nga subjekti në cilësinë e provës pas dërgimit të rezultateve të hetimit, me dokumentacionin e administruar gjatë hetimit”, thuhet në arsyetim. Komisioni po ashtu arsyeton se Qana e kishte blerë apartamentin në vitin 2001 me çmim 50 për qind më të lirë se sa çmimet e tregut të kohës.
Por vëzhguesi i ONM-së rendit në qëndrimin e tij 17 dokumente që provonin punën dhe pagesat e bashkëshortes së subjektit në dy organizata dhe punën e saj në stehën për gratë e dhunuara. Në arsyetim, vëzhguesi thotë se ndryshe nga rastet e tjera, kur subjektet nuk dokumentojnë se si i kanë fituar të ardhurat, Qana provoi angazhimin e bashkëshortes dhe po ashtu solli dokumente edhe se për pagat ishin shlyer të paktën pjesërisht detyrimet.
“Me respekt parashtroj se është një korruptim i qëllimit të ligjit të shkarkosh subjektin nga puna, sepse e fejuara e tij punoi në organizatën…. gjatë një kohe të keqe në historinë e Shqipërisë, dhe që tani, në këtë kohë, nuk mund të gjendet dokumentacioni që do të provonte që taksat ishin paguar plotësisht për ato të ardhura të merituara,” thuhet në opinion.
Kessler shprehet se bazuar në dokumentacion nuk kishte asnjë dyshim për punën që kishte bërë bashkëshortja e subjektit dhe për faktin se ajo ishte paguar për këtë punë. Ai thotë se ndër dokumentet përfshiheshin edhe raporte të punës së saj me gra të dhunuara apo ndër të tjera edhe blerje të ushqimeve për qendrën. Ai thotë se i vetmi problem në këtë rast ishte se nuk kishte dokumente që të provonin pagesën e taksave për çdo qindarkë.
Njëlloj treshja që hetoi rastet përplaset me vëzhguesin edhe mbi dyshimet e ngritura mbi një hua 5 mijë euro dhe një shumë kursimesh 730 mijë lekë të përdorura në blerjen e një makine. Qana pretendoi se makina e blerë për 14,900 euro ishte paguar nga kursimet, një dhuratë nga vjehrri dhe një hua 5 mijë euro e deklaruara që në vitin e blerjes.
Por pas pyetësorëve të KPK-së, ai pranoi se kishte marrë edhe një hua tjetër 5 mijë euro nga një i afërm, të cilën e kishte shlyer brenda pak ditësh me kursimet e tërhequra nga banka. Qana pretendoi se këto para i kishte marrë në përdorim për shkak të urgjencës së pagesës dhe i kishte shlyer me të tërhequr paratë nga banka.
KPK arrin në përfundimin se Qana rezultonte me minus 1.7 milionë në transaksionin për blerjen e makinës. KPK nuk ka konsideruar si burim të ligjshëm në blerjen e makinës huanë 5 mijë euro dhe po ashtu as kursimet prej 730 mijë lekësh të shpenzuara disa ditë pas blerjes.
“Komisioni vlerëson se e ka të pamundur të dallojë se cili deklarim është i vërtetë dhe cili ka qenë shkaku i vërtetë që e ka detyruar subjektin e rivlerësimit për të mos respektuar kërkesat urdhëruese të ligjit për të deklaruar saktësisht dhe plotësisht burimin”, thuhet në vendim.
Kessler e quan këtë arsyetim të pabazuar dhe jo propocional. Sipas vëzhguesit, edhe nëse faktet shiheshin në dritë më pak të favorshme për subjektin, maksimumi ndaj tij do të ngriheshin dyshime se ai kishte dështuar të ishte plotësisht transparent në mënyrën e financimit të blerjes së makinës për 14900 euro.
“Tani, mund të spekulohet që ndoshta huatë nga Z.D apo E.V. ishin dhënë për qëllime jo të përshtatshme. Ose mund të spekulohet që këto hua nuk u dhanë asnjëherë dhe që subjekti i mori paratë prej ndikimit të paligjshëm. Por nuk ka asnjë bazë për këto spekulime dhe subjektit nuk mund t’i kërkohet të provojë të kundërtën e çdo spekulimi,” shkruan vëzhguesi, i cili e konsideron mosmarrjen parasysh të huasë së përkohshme dhe konsiderimin prej KPK se kursimet nuk ishin shpenzuar për makinën si jo-propocionale.
Në fund të mendimit të tij, Kessler shprehet se të para në tërësi, rrethanat e çështjes nuk çonin në asnjë rast drejt shkarkimit të subjektit të rivlerësimit.