Komisioni Evropian ka çuar Italinë në gjyq, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg, për mos deklarimin e të dhënave në lidhje me terrorizmin.
Italia ka thyer një ndër rregullat e vendosura nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE në vitin 2008 për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor midis vendeve anëtare, të cilat Brukseli i konsideron “një mjet themelor në luftën kundër terrorizmit dhe krimit”.
Rregullat në fjalë bëjnë të mundur që vendet anëtare të shkëmbejnë shpejt informacionin mbi ADN-në, gjurmët e gishtave dhe të dhënat e regjistrit kombëtar të automjeteve, duke lejuar prokurorët dhe policinë të identifikojnë të dyshuarit dhe të krijojnë lidhje midis çështjeve penale në të gjithë BE-në.
Komisioni kishte nisur një procedurë shkeljeje tashmë në 2011, kur shkëmbimi i informacionit u bë funksional, dhe pasi nuk mori asnjë përgjigje në 2017, kaloi në hapin e dytë, duke dërguar kërkesën që Italia të detyrohet të përmbushë plotësisht detyrimet e saj ligjore.
Pas hetimeve të përsëritura mbi përparimin e bërë nga vendi në përmbushjen e detyrimeve të tij, “vihet re se deri më sot Italia ende nuk lejon vendet e tjera anëtare të kenë qasje në të dhënat e saj në lidhje me ADN-në, gjurmët e gishtave dhe regjistrimin e automjeteve”, citohet Komisioni Evropian. Çështja tani i është dorëzuar gjykatës së BE, e cila mund të vendosë gjoba nëse qeveria nuk vepron shpejt./ EUROCATIV
/m.j