Rrëfimi tronditës i Tuti Sejdiut mbi jetën e saj mbrëmjen kur rrëmbeu kurorën e Miss Universe, bëri jehonë në media dhe preku zemrat e të gjithëve.
19-vjeçarja nga Gjilani zbuloi se ishte trafikuar në Serbi 6 vite më parë dhe ishte përdhunuar nga disa persona.
Pas zbulimit të historisë së trishtë, Tuti Sejdiu ka marrë mbështetjen e aktores dhe deputetes kosovare, Adriana Matoshi.
Ajo publikoi një foto krah Miss Kosovës në rrjetet sociale dhe e cilësoi një femër “të fortë, të bukur dhe shumë motivuese”.
Adriana Matoshi shkroi se tani 19-vjeçarja është në duar të sigurta dhe se pranë saj ka njerëz që do e ndihmojnë për të çuar drejtësinë në vend, duke theksuar se një vajzë si ajo i duhet shtetit.
“Një vajzë e fortë që vendosi të shpalosë historinë e saj në momentin që fitoi titullin e më të bukurës Miss Univers Kosova.
Qëllimi i saj nuk ishte titulli i më të bukurës por prurja e drejtësisë në vend. Ajo tani është në duar të sigurta dhe me njerëz që punojnë për të çuar në vend amanetin e saj. Një femër si ajo i duhet shtetit. E fortë, e bukur dhe shumë motivuese,”- u shpreh deputetja.
Pak ditë më parë, Tuti Sejdiu i tronditi të gjithë kur tha se ishte përdhunuar në një moshë fare të vogël.
Por më shokuese ishin pretendimet e saj. Ajo deklaroi se personat që ia shkaktuan këtë ishin të lirë ndërsa babai i saj, i cili luftoi për ta shpëtuar kur u trafikua, ndodhet në burg.
“Arsyeja që kam ardhur në Miss Universe është familja ime, kishin gjithmonë qejf të shpallesha Miss. Kam aplikuar, kam ardhur dhe nuk e besoja që do e fitoja. Kjo kurorë i dedikohet vetëm familjes time pasi gjatë jetës së tyre kanë sakrifikuar shumë për mua, e vazhdojnë që të sakrifikojnë. Jam e mërzitur sepse shoh gjithë familjen aty dhe vetëm një karrige është e zbrazët sepse mungon babai im. Është sot në burg për mua sepse ka luftuar për padrejtësinë që më kanë bërë,”– u shpreh 19-vjeçarja./m.j